
Jordan Johnson – rikthehet në Superligë, e zyrtarizon Peja
Peja pas zyrtarizimit të Dardan Berishës dje, sot ka bërë të ditur se ka angazhuar në radhët e saja edhe playmakerin amerikan, Jordan Johnson.
Ky i fundit, nuk është i panjohur për Superligën e Kosovës, pasi që ka veshur fanellën e Prishtinës në stinorin 2019/20.
Në Turqi e Sllovaki, gjatë stinorit të kaluar
Së fundi, Johnson ka qenë pjesë e ekipit sllovak Prievidza. Ai është lojtar i pozitës 1, ndërsa është 30 vjeçar dhe 182cm i gjatë.
Pas stinorit të kaluar në Kosovë me Prishtinën, Johnson luajti edhe në Britani të Madhe për Glasgoë Rocks, pastaj në Bundesliga_2 të Gjermanisë për Rasta Vechta dhe Trier Gladiators. Para se të bëhet pjesë e ekipit të tij fundit sllovak, ka kaluar gjysmë stinori edhe në ligën e dytë të Turqisë, ku ka djersitur fanellën e Haremsporit.
“KB Peja iu njofton se ka arritur marrëveshje për transferimin e amerikanit Jordan Johnson (PG, 1.82cm, 30 vjet) për sezonin 2025/26. Jordan Johnson i cili më parë ka pasur eksperiencë në Kosovë gjatë sezonit 2019/20 ku luajti me mesatare 19.8 pikë, 3.3 kërcime, 6.5 asistime për ndeshje – karrierë ka zhvilluar edhe në Holandë, Ukrainë, Gjermani, Britani të Madhe, Turqi dhe së fundmi në Sllovaki. Në katër sezonet e fundit, Johnson ka luajtur respektivisht me mesatare prej 15.8, 18.3, 15.6 dhe 13.6 pikë për ndeshje duke shtuar edhe mbi 6 asistime për ndeshje në të njëjtën kohë. Poashtu, Jordan Johnson dhe Tajh Green bashkohen përsëri në “Karagaçi” pas aventurës së bashku me Newcastle Eagles. Johnson tashmë ka filluar stërvitjet nën urdhrat e trajnerit Greg Gibson dhe është gati për sezonin e ri me ngjyrat verdh e zi.” — shkroi KB Peja në njoftim.
Mesataret e stinorit të kaluar
Në stinorin e kaluar Johnson te Haremspori ka pasur mesatare prej 15.6 pikëve, 6.3 asistimeve dhe 2.3 kërcimeve për ndeshje, ndërsa te Prievidza ka luajtur me 13.6 pikë, 4.9 asistime dhe 3.6 kërcime për ndeshje.