
Jorgo Pëllumbi, shtesë për mbrojtjen e Dritës
Kampionja e Kosovës, Drita, nuk ka të ndalur sot në prezantim të përforcimeve në ekip, ndërsa pas Mamadou Ben Zidane-it ka bërë të ditur se ka shtuar në radhët e saja edhe mbrojtësin shqiptar, Jorgo Pëllumbi.
Pëllumbi 25 vjeçar së fundi ka qenë lojtar i lirë, ndërsa në stinorni e kaluar ishte pjesë e Debrecenit hungarez, ku kishte kaluar prej Varazdinit kroat. I lindur në Korçë dhe me grupmoshat e kaluara te Skënderbeu, Pëllumbi ka qenë edhe pjesë e Shqipërisë U-21 një kohë.
“FC Drita me kënaqësi njofton afrimin e lojtarit të ri në radhët e saj, mbrojtësin shqiptar Jorgo Pëllumbi. 25-vjeçari, i cili ka përvojë në kampionatin shqiptar, kroat e hungarez, i bashkohet klubit tonë për të forcuar repartin defansiv. Pëllumbi është gjithashtu ish-përfaqësues i Shqipërisë U21 dhe njihet për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në fushë. FC Drita e mirëpret Jorgo Pëllumbin në familjen bardhekaltër dhe i dëshiron shumë suksese në këtë kapitull të ri të karrierës së tij.” — bëri të ditur FC Drita sot.
Pëllumbi luan me këmbën e majtë, ndërsa pos qendrës së mbrojtjes mund të ndihmojë edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.