
KB Prishtina në krizë, borxhe dhe pyetje, ku shkuan 700 mijë euro?
Në nëntor dhe në dhjetor në llogari të klubit kishte 700 mijë euro. Në janar asnjë cent. Kështu u shpjegua sot nga drejtuesit e ri të klubit të Prishtinës në basketboll, menaxhimi i bërë nga ish drejtuesit!
Pos tyre, KB Prishtina ka obligime ndaj ATK-së, FBK-së, ENBL-së, Pallatit të Rinisë, BAT-it, avio-kompanive, por edhe vonesa në paga. Të gjitha këto i bëri të ditur drejtori i përgjithshëm i klubit Luan Maloku, i cili bashkë me legjendën Edmond Azemi gjindeshin në konferencën për shtyp si dhe kapitenin e tashëm të ekipit, Arbër Sinani.

“Megjithatë do të ecim përpara, ndërsa deri në fund të stinorit gjendja është e menaxhueshme,” ka shtuar ndër të tjera Maloku sot, në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp të KB Prishtina të mbajtur në zyret e klubit.
Prishtina është në gjendjen më të keqe ndonjëherë në renditjen tabelare, pas 3 cikleve të dueleve të Superligës. Ekipi sipas MKRS-së vetëm nga ligji i sponsorimit në vitin 2025 ka marrë mbi 600 mijë euro! KB Prishtinës iu zgjodh një kryetar muaj më parë. Tifozëria kërkoi dorëheqjen e tij. Pozitën e kryetarit tani e mbanë Rinor Grajqevci.

Në ditët në vijim mbetet të shihet se si do të shkojnë punët në klubin bardhekaltër që është edhe rekord-kampion i Kosovës. Basketbollistët nuk kanë marrë paga së fundi. Overdraft në banka deri në 50 mijë euro.
Si dhe fjalë të dërguara drejt kryetarit të qytetit Përparim Rama, të cilit i është thënë se “Plisat” i kanë ndihmuar të jetë aty ku është dhe i është kërkuar që të jep së paku trefishin e buxhetit që e merr KB Bashkimi nga Komuna e Prizrenit!
Jordan Davis që luajti në vitin e kaluar te Prishtina u pagua 25 mijë, sikurse edhe Rashid Mahalbashic, trajneri Paco Olmos, 20 mijë (euro ose dollarë) pasi që nuk u dëgjua të ceket valuta.
