Kosova dhe playoffi, historia e një ecurie të ëndrrave

Për herë të parë në histori, Kosova ka arritur të sigurojë playoffin drejt një Kampionati Botëror. Ekipi përfaqësues i Kosovës në futboll, i drejtuar nga strategu gjerman Franco Foda ka bërë historinë së pari duke mbledhë pikë maksimale në një kampanjë kualifikuese drejt Botërorit, e më pas ka arritur edhe të sigurojë playoffin një xhiro para fundit të ndeshjeve kualifikuese e në të fundit, përkundër se vështirë, ka pasur edhe gjasa teorike për kualifikim direkt.

Kundërshtari i radhës

E tani, në playoff Kosova ka mësuar edhe kundërshtarët në një fund-mars të ngrohtë, kur sigurohen 4 biletat e fundit për ekipet nga Evropa drejt “USCAME 2026”. Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia janë kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në gjysmëfinale të playoffit, ndërsa në shortin që do të hidhet të enjten e 20 nëntorit me fillim prej orës 13.00 në Nyon të Zvicrës, do të mësohet se edhe cilat janë skuadrat potenciale që do të mund t’i dalin në finale të playoffit.

Gjysmëfinalet luhen më 26 mars 2026 ndërsa finalja më 31 mars. Fituesit e finaleve (4 skuadra, nga 16 në total që janë në playoff) do të marrin biletat e fundit nga zona e UEFA-së për në Botërorin e radhës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanadë dhe Meksikë.

Nga autsajderi i grupit, në befasinë e grupit

Franco Foda si përzgjedhës, ka bërë punë të jashtëzakonshme me “dardanët” gjatë muajve të “vjeshtës”. Pas disfatës së thellë dhe dëshpëruese ndaj Zvicrës në fillim të kualifikimeve, 4-0, ka këndellur plotësisht reprezentacionin duke ndërruar formacion, futur disiplinë të madhe taktike dhe organizim në lojë, që frytet i dha në “Stozice” të Ljubljanës, derisa Kosova ka qenë autsajder i Grupit B kualifikues. Zvicra, Suedia e Sllovenia kanë qenë ekipet larg më mirë të renditura dhe me mundësi ideale drejt kalimit tutje. Por për këtë futbolli është sporti më i ndjekur në botë, ngase me angazhim, gjithçka është e mundshme. Dhe këtë e vërtetuan ekipi i udhëhequr nga kapitenët fantastik në fushë, Amir Rrahmani, pastaj Vedat Muriqi e Fidan Aliti. Me përulësi në shfaqje, me angazhim në lojë dhe mençuri në veprime – beteja u fitua, e historia u shkrua.

Me pak fat…

Tash, të gjithëve u mbetet të ëndërrojnë deri në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa fatit nuk i dihet. Nëse arrihet kualifikimi ky ekip meriton gjithçka, por edhe në rastin e kundërt, ata kanë kryer punë të jashtëzakonshme për të cilën do flasin gjeneratat.

Cikli kualifikues dhe rezultatet e Kosovës

TABELA PËRFUNDIMTARE E GRUPIT B: 

1. Zvicra, 14 pikë (kualifikim direkt)

2. Kosova, 11 pikë (playoff)

3. Sllovenia, 4 pikë

4. Suedia, 2 pikë.

Duelet e Kosovës: 

Zvicra-Kosova, 4-0

Kosova-Suedia 2-0

Kosova-Sllovenia 0-0

Suedia-Kosova 0-1

Sllovenia-Kosova 0-2

Kosova-Zvicra 1-1.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live