
Kosova përfiton mbi 6 milionë euro nga UEFA-ja për pjesëmarrjet në gara evropiane
Sipas një raporti të publikuar të Foot Meets Data, një faqe kjo e specializuar për të bërë matje statistikore të të dhënave të ndryshme futbollistike, është bërë e ditur se ndër të tjera, Kosova prej pjesëmarrjes së ekipeve të saja në gara evropiane përgjatë stinorit 2025/26 deri dje, do të përfitojë mbi 6 milionë euro.
Totali i UEFA-së, 2.93 miliardë euro
Në total, shuma e UEFA-së për të gjitha garat (Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës) kap shifrën prej afro 3 miliardë eurove, të cilat do tu ndahen 108 ekipeve pjesëmarrëse në garat evropiane. Nga shuma totale e 2.93 miliardë eurove, skuadrat nga pesë ligat e forta evropiane (Premier League, LaLiga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1) do t’i marrin 61% të shumës, ku parashihen 1.8 miliardë euro. Ndërkaq, të gjitha shtetet tjera që kanë pasur ekipe pjesëmarrëse në gara evropiane në stinorin 2025/26 do t’i marrin 39% tjera, që aktualisht kap shifrën e 1.13 miliardë eurove.
Ekipet e Kosovës në total, 6.3 milionë euro
Në këtë listë të shteteve, Kosova është e gjashtë prej fundit, me shumën e 6.3 milionë eurove të fituara nga klubet e saja në total prej UEFA-së për pjesëmarrje të deritashme në garat evropiane 2025/26. Në këtë shifër më së shumti ka hise Drita, që edhe ka shkruar historinë e futbollit ekipor të Kosovës duke qenë aktive edhe së paku këtë javë në gara evropiane, pasi që ka arritur playoffin e Ligës së Konferencës.

