
Leon Avdullahu i thotë “Po” Kosovës
Futbollisti i lindur në vitin 2004, Leon Avdullahu, që u rrit në Zvicër ndërsa luajti edhe për grupmoshat U-21 të helvetëve, ka pranuar që si senior të paraqitet me fanellë të Kosovës.
Ademi me myzhde
Mesfushori që këtë verë kaloi prej Baselit zviceran te Hoffenheimi në Bundesligë për shumën e 8 milionë eurove, prej vitit 2018 është pjesë e Baselit ku u pjek si lojtar.
“Ndjej kënaqësi të ndaj me ju lajmin e madh se Leon Avdullahu, i udhëhequr nga zemra e tij, ka vendosur që të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Leoni më njoftoi sonte për vendimin e madh, që pason takimin që kishim pak kohë më parë kur edhe i kishim diskutuar të gjitha gjërat.” shkroi kreu i FFK-së, Agim Ademi, në njoftimin e botuar dje në llogaritë e tij të rrjeteve sociale. Ndërkaq FFK nuk publikoi asnjë njoftim akoma në web-faqen e saj për këtë.
Kosova, që deri tash ka pasur mungesë të theksuar në pjesën qendrore dhe defanzive të mesfushës, do të ketë një përforcim të madh kështu për ndeshjet kualifikuese për Botërorin e radhës me ardhjen e Leonit aty. Kjo, natyrisht do t’i ndihmojë mjaft edhe selektorit Franco Foda.
Shtohen shpresat
Kosova është në grup të vështirë për të shkuar tutje nga kualifikimet për Botëror, mirëpo, me prurje të tilla dhe fatit sportiv, shpresa mbetet për të qenë së paku në luftë për playoff.
Dardanët janë në një grup me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Fituesi i grupit siguron biletën për Botëror, ndërkaq pozita e dytë do të mundohet që të kalojë tre pengesa playoffi për të marrë biletën për Kampionatin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në vitin e ardhshëm.