
Liderja fiton me përmbysje
Malisheva vazhdon të ruaj kreun e tabelës në Superligë, ndërsa sot ka arritur të përmbys shpejt Vushtrrinë që i befasoi në fillim të ndeshjes me epërsi.
Të kaltërit e drejtuar nga Kastriot Rexha kanë arritur të kthehen shpejt në lojë, ndërsa me golat e shënuara të Xhylanit dhe Nafiut ata kanë marrë epërsinë nga kundërshtari që kishte avancuar me golin e Demirit fillimisht.
Malisheva – Vushtrria 2-1 [Laurent Xhylani 17′, Valmir Nafiu 26′ — Lis Demiri 10′]. Deri në fund të ndeshjes, Malisheva kishte edhe dy raste të mira, ndërsa Vushtrria në një rast mendoi se fitoi penallti, kur Demiri u rrëzua në zonë, por pas rishikimit të rastit në VAR, ajo u anulua.
Malisheva ka 23 pikë nga 10 ndeshje të luajtura dhe vazhdon të jetë në vend të parë të tabelës, derisa Vushtrria nga po aq ndeshje ka vetëm 3 pikë dhe është e fundit në renditje, në pozitë të dhjetë.
