
Marijan Coric operohet me sukses
Ekipi i Llapit ka bërë të ditur sot se portieri i tyre Marijan Coric është operuar me sukses në bërrylin e dorës së majtë të tij dhe brenda muajit tjetër do t’i kthehet fushave të lojës.
Gardiani kroat i portës së llapjanëve është dashur të hyjë domosdoshmërisht në intervenim kirurgjik për shkak të traumës që kishte pësuar në bërryl.
“Marjo aktualisht ndodhet në tretman mjekësor nën përkujdesjen e stafit profesional dhe pritet të lirohet pas dy ditësh, për të vazhduar më pas me terapitë rehabilituese. Rikthimi i tij në fushën e blertë parashihet të ndodhë brenda tri javësh.” — shkroi KF Llapi në njoftim, ndër të tjera.
Përndryshe, klubi që po drejtohet nga Tahir Batatina është në pozitë të shtatë të Superligës dhe ka 22 pikë. Skuadrat që janë në zonë të rënies nga Superliga, Ferizaji i nëntë ka 19 pikë, ndërsa Prishtina e Re e dhjeta ka 18 pikë.
Në xhiron e radhës, në fundjavën para nesh të kaltërit nga Podujeva presin Dritën kampione. Të njëjtën, ata e eliminuan në të tetën e finales për të siguruar çerekfinalen e Kupës.
