
Pas fitores, Prishtina në disiplinore nga KG
Komisioni i Garave (KG) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se FC Prishtina është futur në procedurë disiplinore pas ndeshjes ndaj Llapit, zhvilluar në “Fadil Vokrri”, ku bardhekaltërit vendas kanë fituar ndeshjen 3-0.
Kjo, pasi që tifozët e vendasve kanë hedhur mjete piroteknike në fushë të lojës dhe kanë shkaktuar ndërprerje të ndeshjes për dy minuta. Për më tepërë, KG ka theksuar se hedhja është përsëritur.
“Ndaj: FC ‘Prishtina’. Motivi:, Në minutën e 2-të të ndeshjes, tifozët e FC Prishtina –‘Plisat’ –kanë hedhur mjete piroteknike pas portës dhe në fushën e lojës, për çka ka shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes për 2 minuta. Hedhja e mjeteve piroteknike është përsëritur gjithashtu në minutat e 9-të dhe të 36-të të ndeshjes. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes dhe pamjeve filmike nga transmetimi televiziv i ndeshjes Prishtina –Llapi.” — shkroi njoftimi i FFK-së botuar sot.
Prishtina ka shënuar fitoren e dytë kampionale dje duke nisur në mënyrë më të mirë stinorin 2025/26, ku pas dy ndeshjeve ka shënuar dy fitore, ndërsa në fitoren e fundit ndaj Llapit, 3-0, për bardhekaltërit shënuan: Ilievski 35′, Ahmeti 58’pen., Veliu 90’+10pen.