
Prishtina njofton për dy lojtarë vendorë të lënduar!
Kapiteni i Prishtinës, Daniel Lekndreaj, do të mungojë te ekipi bardhekaltër. Njëjtë sikurse ai, edhe Valmir Kakruki do të mungojë te Prishtina! Krejt kjo, pas ndeshjeve të kombëtareve të zhvilluara gjatë javës që e lamë pas, në kuadër të parakualifikimeve për Eurobasket 2029.
Lëndimet dhe mungesat
Sipas njoftimit të Prishtinës, Lekndreaj, që është edhe kapiten i ekipit do të mungojë tre deri në katër muaj për shkak të çarjes së ligamentit ACL, ku do t’i duhet edhe operimi.
Kakruki në anën tjetër, ka pësuar një goditje në ndeshje ndaj Irlandës që do ta lë atë jashtë parketit deri në dy javë.

Natyrisht, për ndeshjet e radhës mungesa e dyshes do të jetë hendikep për Prishtinën e drejtuar nga greku Michalis Kakiouzis, ndërkaq pritet të shihet se si do të reagon klubi për çështjen Lekndreaj, pasi që mungesa e tij është shumë më e gjatë!
“Kapiteni Daniel Lekndreaj me kombëtaren Shqiptare ka pësuar qarje të ligamentit ACL. Do të operohet dhe pritet të mungojë 3–4 muaj.
Valmiri Kakruki me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut ka marrë një goditje në ndeshjen ndaj Irlandës dhe do të mungojë 10–14 ditë.
Urojmë shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të fortë për të dy.” — shkroi KB Prishtina në njoftimin e lëshuar sot.

Prishtina, ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës e kreu me bilanc pozitiv 4-3, duke u vendosur në pozitë të tretë të renditjes tabelare. Xhiroja e radhës që shënon fillimin e ciklit të dytë të ndeshjeve të Superligës nis sot, ndërsa Prishtina do të përballet me Yllin!
