
Rahoveci 029 me fitore jetike, thellon krizën e Yllit
Performancë e jashtëzakonshme e Kentrell Pullianit të premten mbrëma në “Mizahir Isma” derisa Rahoveci 029 debutues në Superligë ka marrë fitore jetike ndaj Yllit të Suharekës. Ka qenë fitorja e shtatë sezonale kjo për “vreshtarët” derisa ekipi i drejtuar nga Goran Samardziev ka shënuar fitore me rezultat 75-69 duke qenë mjaft të kujdesshëm në secilin çerek me lojë.
Pullian, që ka qenë në element ka shënuar 29 pikë dhe ka luajtur pa asnjë sekondë pushim, ndërsa ka bërë edhe 5 asistime e 4 kërcime në fitoren e rëndësishme të ekipit. Me 12 pikë e 5 kërcime në fitore kontribuoi përvoja e Fisnik Rugovës, ndërkaq J’Von McCormick dha 11 pikë e bëri 7 asistime me 4 kërcime në fitore.
Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGES
Në anën tjetër kriza e “milionerëve” të Yllit po thellohet. Përkundër paraqitjes tepër të mirë të Scott Bamforthit, që luajti me 28 pikë, 4 asistime e 7 kërcime, suharekasit u ndanë kokulur nga ndeshja.
Pos Bamforthit ka qenë edhe Tyreek Smith që tregoi lojë të mirë me 18 pikë e 10 kërcime në këtë ndeshje për ekipin e drejtuar nga spanjolli Paco Olmos, e që në fund nuk mjaftoi për të ndalë humbjen e katërt me radhë në Superligë!
Me këtë fitore të shënuar, Rahoveci 029 mbylli ciklin e tretë të ndeshjeve të Superligës me bilanc 7-14 dhe është në pozitë të fundit të renditjes tabelare, derisa gjasat për mbijetesë i ka të mëdha dhe gjithçka do të vendoset në shtatë xhirot e fundit të stinorit të rregullt. Ylli, vetëm pak më mirë se Rahoveci 029. Suharekasit janë me bilanc 8-13 për momentin në pozitë të pestë të tabelës.
