Remy Abell, shtesë e radhës te Rahoveci 029

Lufta në Superligë edhe në stinorin që vjen pritet të jetë e madhe, derisa skuadrat nuk po ndalen duke publikuar përforcimet në ekipe. Kështu, sot pos Borës aktive, ka qenë edhe Rahoveci 029 që ka siguruar një përforcim në ekip për stinorin 2026/27.

Kështu, vreshtarët kanë bërë të ditur se kanë nënshkruar me amerikanin Remy Abell, që vjen prej ligës së parë hungareze, përkatësisht nga ekipi NKA Pecs.

Abell, që është 192cm i gjatë dhe luan në pozitat 1-2, në stinorin e kaluar me ekipin e lartpërmendur hungarez ka pasur mesatare prej 13.9 pikësh për ndeshje, 3.3 asistimeve dhe 2.7 kërcimeve.

“Me kënaqësi ju njoftojmë se Remy Abell i është bashkuar skuadrës sonë për këtë sezon.
Abell vjen në qytetin e rrushit, ku sezonin e kaluar ishte pjesë e NKA Universitas Pécs në elitën e basketbollit hungarez.” — shkroi KB Rahoveci 029 në njoftim.

Abell, pos Pecsit, ka luajtur edhe në disa stinorë tjerë në Hungari, duke ndërruar ekipet, kurse ka bërë karrierë edhe në Helsinki Seagulls, Spars Realway, Keravnos, Gaiteros dhe Malvin.

Pos Abellit, Rahoveci 029 deri më sot për stinorin e ri ka bërë të ditur se ka siguruar edhe shërbimet e: Hadis Durguti, Kareem Rozier, Samir Zekiqi dhe Sydney Hawmmond!

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live