
Rikthimi i radhës!
Nuk ka kaluar shumë prej se Dinamoja u nda me Astrit Fazliun trajner. Ky i fundit dha dorëheqje për arsye personale siç u tha. Derisa në anën tjetër ferizajasit që po kërkojnë Superligën këtë stinor shpejt kanë gjetur zëvendësim dhe atë në moment të duhur.
Ditë më parë, me Leotrim Krasniqin u nda Vëllaznimi për shkak të rezultateve të dobëta në 3 xhirot e fundit me kuqezinjtë e Gjakovës. Vëllaznimi reagoi shpejt duke e siguruar Liridon Lecin, së fundi ish-trajnerin e Lirisë.
E për “Lautën” siç e thërrasin shkurt Leotrim Krasniqin, nuk mbeti shumë kohë për pushim, pasi që në anën tjetër i erdhi ftesa prej Dinamos. Marrëveshja u arrit shpejt, pasi që Dinamoja veçse ka punuar me atë dhe pikërisht ai kishte ndarë rrugët me Dinamon për të marrë në stinorin e kaluar drejtimin e Vëllaznimit.
Dhe rikthimi ndodhi, ndërsa Dinamoja e përshkroi atë kështu.
“FC Dinamo Ferizaj njofton se Leotrim Krasniqi është emëruar kryetrajner i skuadrës së parë.
Krasniqi rikthehet në klub pas angazhimit të tij të fundit te Vëllaznimi, ndërsa më herët ka qenë pjesë e Besës së Pejës, Drenasit, Vjosës, Lirisë dhe e skuadrës tonë.
Klubi i uron suksese në detyrën e tij dhe punë të mbarë në vazhdim të sezonit.” — shkroi njoftimi i klubit ferizajas.
Dinamo përndryshe nuk ka humbje këtë stinor në Ligë të Parë. Ekipi ferizajas ka 4 fitore dhe 3 barazime nga 7 xhirot e para të stinorit dhe është në pozitë të dytë aktualisht, pasi që me barazimin e fundit humbi lidershipin të cilën e mori Liria.
Krasniqi do të debutojë në ndeshjen derbi për Dinamon, ku e pret njëra ndër skuadrat më të forta të Ligës së Parë, Prishtina e Re.
