
Rikthimi që ngjallë shpresë!
Pas periudhës së kaluar te ekipi i femrave të Mitrovicës, ish-trajneri i Trepçës’89, dikur edhe lojtar i ekipit, Shpëtim Idrizi është zyrtarizuar si kryetrajner i ekipit pasi që dha dorëheqje nga ekipi i femrave.
Si erdhi te rikthimi?
Dorëheqja e Idrizit nga detyra, paralajmëroi një rikthim të tij te ’89-shi, pasi që në të njëjtën ditë “minatorët” kishin ndarë rrugët me Granit Dervishollin, me të cilin kishin nisur stinorin në Ligë të Parë.
“KF Trepça’89 njofton se Granit Dervisholli ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetrajnerit të skuadrës.
Respektojmë vendimin e tij dhe e falënderojmë për punën, përkushtimin dhe angazhimin gjatë kësaj periudhe në krye të ekipit tonë.” — kishte shkruar njoftimi i klubit, ndërsa mbrëmë skuadra bëri të ditur për rikthimin e “Shputës” siç e thërrasin atë.
TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE
“Disa histori nuk përfundojnë kurrë, ato thjesht vazhdojnë të shkruhen!
Nga fusha e blertë si futbollist, te vija anësore si trajner, Shpëtim Idrizi ka qenë pjesë e historisë dhe identitetit të klubit tonë.
Sot, kjo histori vazhdon me një kapitull të ri!
Me kënaqësi njoftojmë rikthimin e Shpëtim Idrizit në krye të shtabit teknik të KF Trepça’89, duke marrë drejtimin e skuadrës si kryetrajner.
Një emër i njohur për familjen tonë, që rikthehet aty ku ka lënë gjurmë, me përkushtimin, përvojën dhe ambicien për të arritur objektivin tonë të përbashkët, rikthimin e KF Trepça’89 në Superligën e Kosovës!
Mirë se u riktheve në shtëpinë tënde, profesor!” — ishte postimi i radhës i klubit në llogaritë e rrjeteve sociale, derisa u bë i ditur edhe qëllimi — rikthimi në Superligë!
Objektivi: Superliga
Përndryshe, ’89-shi është në pozitë të pestë të renditjes tabelare të Ligës së Parë aktualisht. Ekipi ka bilans prej 6 fitoresh, 5 barazimesh dhe 2 humbjeve – kjo e fundit e papritur nga Kika në “Riza Lushta”, që bëri edhe të ndahen rrugët me Dervishollin.
Me 23 pikë në total prej 13 xhirove, tani gjithçka është në dorë të Idrizit për të këndellur ekipin ashtu që t’i afrohet Lirisë lidere që ka 6 pikë më shumë. “Shputa” do të debutojë për ekipin e tij në rikthim në detyrë në ndeshjen e xhiros XIV ndaj Lepencit si mysafir.

