Shorter vendimtar, Bashkimi merr epërsinë ndaj Borës

Bora kishte epërsi deri në 12 pikë në përballjen e parë të gjysmëfinales së playoffit të Superligës. Prishtinasit me lojë të fortë treguan se mund t’i bëjnë ballë përvojës së Bashkimit, përkundër se arritën për herë të parë në këtë rang garash të Superligës.

Por në fund, Bashkimi u rikthye për të mos lënë vend për befasi, ndërsa më meritori për këtë ka qenë Shannon Shorter që shënoi 8 pikët e fundit të ekipit portokallezi për fitore të ngushtë 73-70 prej të cilave dy treshe! Rikthimi i Bashkimit u bë në çerek të fundit të lojës, kur prizrenasit përmbysën gjithçka me 25-11!

Shorter ishte edhe më efikasi i ndeshjes duke shënuar 28 pikë në fitore, ku shutoi 4/6 për tri pikë. Pos tij u dalluan edhe Jalen Riley me 17 pikë e Daquan Lake me 11 pikë e 8 kërcime.

Bora, që ishte shumë afër befasisë lojtar më efikas kishte Tyler Cheese që dha 17 pikë, ndërsa Jordan Dingle kreu lojën me 16 pikë të shënuara.

Bashkimi kështu merr epërsinë në serinë gjysmëfinale 1-0, ndërsa kjo seri vazhdon të shtunën në “1 tetori” të Prishtinës ku Bora do të kërkojë barazimin e serisë, kurse Bashkimi thellim të avantazhit. Përndryshe, ekipi që arrin së pari tri fitore siguron biletën për finale të playoffit të Superligës.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live