
Starti i fuqishëm, çoi Prishtinën te fitorja
Tridhjetë e gjashtë pikë i shënuan në çerek të parë, për të pranuar 14 sosh. Avantazhi 22 pikësh në çerek të parë i dha komoditet Prishtinës në përballjen ndaj Borës, në derbin lokal të kryeqytetit, për të çuar lehtë ndeshjen deri në fund, duke mos vënë asnjëherë në rrezik fitoren.
Kështu, Prishtina e drejtuar nga Michalis Kakiouzis shënoi fitoren e dytë kampionake duke e mposhtur Borën 94-81. Me 19 pikë u dallua Arian Azemi, që bëri edhe 9 asistime, ndërsa 14 pikë i shënoi Adrio Bailey. Bardh Istrefi u dallua me 12 pikë, derisa trajneri grek i dha mundësi të gjithë lojtarëve të shijojnë minuta në këtë përballje.
Bora e Lubomir Minchevit mbetet ende në kërkim të fitores së parë të stinorit, ndërsa më të dalluarit në ekip në humbje prej Prishtinës ishin Rezart Memed me 22 dhe dyshja Tyson Jakcon dhe Grant Singleton që dhanë nga 17 pikë secili.
Prishtina tash është bërë me bilanc 2-0, ndërsa Bora 0-2. Xhiroja e radhës për skuadrat, Prishtina mysafire e Rahovecit, Bora pret Pejën.