Starti pothuaj perfekt, me rënie të pashpjegueshme!

Një nismë e stinorit shumë e mirë nga Peja me Greg Gibsonin në krye të saj dhe pothuajse një cikël i parë perfekt, ku pësuan vetëm nga Bashkimi për të përfunduar me 6-1 shtatë duelet e para të stinorit për verdhezinjtë.

Pak kush e ka pritur që pas këtij starti gati të shkëlqyeshëm që Peja do të pësonte një rënie të tillë, ndërsa mbrëmë siç thonë “ishte kapaku”! Peja pësoi me mbi 30 pikë dallim nga Trepça në “Minatori”, humbjen më të thellë të stinorit, pas disa humbjeve tjera në ciklin e dytë që tashmë përkundër se është e treta në renditje, bilancin aktual e kanë 8-7!

Pra, prej 6-1 në 8-7 tregon shumë, pasi që verdhezinjtë në këtë periudhë në Superligë regjistruan vetëm dy fitore karshi 6 humbjeve! E rezultati i mbrëmshëm ishte alarm i fundit, që bëri KB Pejën të reagonte dhe kështu u ndanë rrugët me trajnerin amerikan të skuadrës.

“GO+ Peja njofton se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Greg Gibson.
E falenderojmë trajnerin Gibson për kontributin e tij këto 6 muaj, duke i uruar suksese në etapat e ardhshme të karrierës.” — shkroi KB Peja në njoftim sot, duke bërë të ditur se ka ndarë rrugët me Gibsonin.

Për të qenë gjërat edhe më diskutabile në ekip ka qenë edhe mosudhëtimi i skuadrës në Çeki për ndeshjen me Olomuckon në ENBL, të cilën pastaj “shqiponjat e Karagaçit” e humbën me 20-0 dhe nuk morën as pikën e humbësit!

Tani, në vazhdim pritet që klubi të reagojë së pari me trajner të ri në ekip e më pas edhe me përforcime të denja që do të mund të rikthejnë së paku pjesën e fillim-stinorit, kur Peja dukej ekip krejt tjetër. E se a ishte faji te trajneri apo te përforcimet e huaja të paqëlluara – mbetet të shihet.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live