Të gjithë dardanët aty! Foda me fokus në tranzicion

Kosova është gati për ndeshjet e tetorit, stërvitjet po vazhdojnë me ritëm të planifikuar, ndërkaq Franco Foda po punon me të gjithë të ftuarit për ndeshjet e këtij muaji.

Kosova pret Slloveninë të premten më 10 tetor në Prishtinë, ndërsa udhëton në Geteborg për ndeshje ndaj Suedisë më 13 tetor. Kosova bën pjesë në Grupin B kualifikues për Botëror. Lider i grupit është Zvicra. Me Slloveninë luan përballjen e parë në këtë fazë.

“Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, që zhvillohen më 10 e 13 tetor.
Në seancën e sotme, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, ndërsa Lumbardh Dellova u aktivizua në ushtrimet më të lehta për të shmangur ngarkesën.
Stafi teknik u fokusua në aspektin taktik, veçanërisht në tranzicionin e shpejtë nga mbrojtja në sulm.
Atmosfera në kampin e Dardanëve është e shkëlqyer, e ku lojtarët po tregojnë përkushtim të lartë, derisa morali për fitore është në nivel maksimal!” — shkroi FFK në njoftimin e lëshuar për media pas stërvitjes së sotme të dardanëve.

Biletat për ndeshjen me Slloveninë janë shitur të gjitha dhe “Fadil Vokrri” pritet të jetë përplot, ndërkaq Kosova do të kërkojë fitoren e dytë në grupin e vështirë ku gjendet si jofavorit.

REZULTATET E DERITASHME:

5 shtator,
Zvicra-Kosova 4-0
Sllovenia-Suedia 2-2

8 shtator,
Kosova-Suedia 2-0
Zvicra-Sllovenia 3-0

TABELA AKTUALE E GRUPIT B:

1. Zvicra 6 pikë,
2. Kosova 3 pikë,
3. Suedia 1 pikë,
4. Sllovenia 1 pikë.

NDESHJET E MBETURA: 

10 tetor,
Suedia-Zvicra
Kosova-Sllovenia

13 tetor,
Suedia-Kosova
Sllovenia-Zvicra

15 nëntor,
Zvicra-Suedia
Sllovenia-Kosova

18 nëntor,
Suedia-Sllovenia
Kosova-Zvicra.

Për në Botërorin 2026 kualifikohet direkt vetëm fituesi i grupit. Skuadra që përfundon e dyta siguron të drejtën për ndeshje playoffi, ku duhet të kalojë dy raunde playoffi për të arritur biletën e Botërorit.

 

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live