
Trepça demolon Prishtinën
Paraqitje fantastike e kampiones aktuale të Kosovës ndaj rekord-kampiones, për të fituar ndeshjen aq bindshëm, sa që mysafirët u kthyen në shtëpi kokulur! Trepça e Adis Beciragicit ka shkëlqyer në përballjen e parë të mbrëmjes së sotme në Superligë dhe ndeshjen më të rëndësishme të xhiros, duke e fituar atë 95-69!
Mustapha Amzil luajti me 23 pikë, 3 asistime e 7 kërcime në fitore, ndërsa Dardan Kapiti shënoi 20 pikë, 2 asistime e 5 kërcime. Reprezentuesi Shawn Jones dha 15 kurse Batin Tuna 12 të tjera në fitore.
Furia e Trepçës u pa në fillim të ndeshjes, ndërsa ajo vazhdoi përgjatë tërë takimit (pos çerekut të fundit) kur mitrovicasit krijuan dallimin aq të madh në rezultat, sa që prishtinasit më nuk kishin gjasa për të bërë rikthim në 10-minutëshin e fundit.
Prishtinës së drejtuar nga Michalis Kakiouzis nuk i ndihmuan as përforcimet e këtij viti! Elijah Clarence debutoi me 18 pikë për Prishtinën, ndërsa Kahlil Dukes luajti me 10 sosh. Adrio Bailey u ndalë në 10 pikë, 2 asistime e 8 kërcime, kurse 14 pikë dha Dion Haxhosaj!
Fitorja, bën që Trepça lidere të kryejë ciklin e dytë të ndeshjeve të Superligës (gjysmën e parë të stinorit) me bilanc 11-3, derisa Prishtina tashmë neutralizohet me bilanc në 7-7 dhe të qëndrojë në pozitë të katërt.
