Trepça nuk arrin rikthimin, mposhtet nga PAOK-u

Ekipi kampion i Kosovës, Trepça, përkundër luftës së madhe të bërë në pjesë të dytë nuk ka arritur të rikthehet për të përmbysur PAOK-un në Selanik sonte dhe kështu në fund është pajtuar me disfatë në nismë të stinorit në kuadër të FIBA Europe Cup, Grupi F.

PAOK-u grek ka fituar ndeshjen me start të mirë në pjesë të parë, ku në pushim shkoi me 45-33. Rikthimi i Trepçës ishte afër të ndodhtë në çerek të fundit, kur me treshen e Mikaile Tmusicit 4.52 minuta pa përfunduar ndeshja rezultati u bë 71-70 në të mirë të vendasve.

Por, pas kësaj pasoi një seri e vendasve dhe kështu, rezultati u shkëput dhe PAOK-u fitoi 85-74. JaCori Payne me 19 pikë ishte më efikasi te Trepça sonte, ndërsa bëri edhe 4 asistime e 3 kërcime.

Me nga 13 pikë ndeshjen e kryen Adnan Arslanagic dhe Chad Brown. Ky i fundit kreu lojën me double-double, duke bërë edhe 10 kërcime.

Stephen Brown me 18 pikë ka qenë koshashënuesi më i mirë i PAOK-ut në fitore, ndërsa me nga 14 pikë te grekët ndeshjen e mbaruan Cleveland Melvi dhe KJ Jackson.

Trepça në duelin e dytë të Grupit F të FIBA Europe Cup pret ekipin e fuqishëm të grupit, bartësin, Braunschweig.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live