
UEFA me plan për ndërrimin e formatit kualifikues për Botëror e EURO
Francezja prestigjioze L’Equipe ka bërë të ditur sot se nga burimet e saja ka kuptuar që UEFA-ja është duke bërë gati planin për të ndërruar formatin kualifikues për Kampionat Botëror e ndoshta edhe evropian.
Kjo, për shkak se ekipet e mëdha evropiane si Franca, Anglia, Gjermania, Spanja, Italia, etj. kërkojnë më shumë ndeshje interesante dhe nuk duan që të luajnë dy herë me ekipet nën-mesatare evropiane, pasi që shikueshmëria dhe niveli i lojës së lojtarëve po bie.
Si Liga e Kampionëve?
Për këtë arsye, UEFA-ja ka përgatitur një plan, ku mëtohet të bëhet ajo si u bë me Ligën e Kampionëve. Një format i njëjtë, por me dy liga, prej të cilave më të mirët kualifikohen. Ndarje në vazo do të ketë dhe secili ekip do të ndeshet dy herë me një ekip nga një vazo (sipas shortit) ku skuadrat që arrijnë më së shumti pikë dhe kanë goldallim më të mirë pas saj do të sigurojnë kualifikimin (në Botëror ose EURO).
Plani fillestar është që 8 më të mirët nga dy ligat të sigurojnë kualifikimin direkt, ndërsa të tjerët, varësisht nga gara (Botëror ose EURO) do ta kërkojnë biletën përmes playoffit, që do të shqyrtohet në ndërkohë.
Duelet e forta
Një format i tillë pritet që të bëj më interesante luftën për garë të madhe, ndërsa skuadrave të mëdha pritet t’i sigurojë së paku 4 ndeshje të forta (2 nga vazoja e parë dhe 2 nga vazoja e dytë).
Tani, ajo që pritet është se deri kur UEFA-ja do të kryejë këtë planifikim për ta shtruar atë mes federatave dhe për të marrë miratimin e shumicës, për të nisur qartësimin e plotë të planit e deri te realizimi i tij. Krejt kjo, nëse shumica kërkon ashtu.
Në këtë rast, Kosova, por edhe Shqipëria varësisht se në cilën vazo do të gjindeshin do të kishin duele me më shumë skuadra të forta dhe mundësitë për të arritur lart në renditje do të vështirësoheshin edhe më. Kjo, pasi që me secilin nga kundërshtarët do të ndesheshin nga një herë dhe takitizimet për ndeshjet e kthimit do të eliminoheshin.