Vëllaznimi zyrtarizoi tashmë 3 përforcime për pranverë

Ekipi i Vëllaznimit, që riktheu trajnerin e njohur Leotrim Krasniqi në krye të ekipit, edhe pse një vit më parë e kishte larguar nga detyra, ka zyrtarizuar tashmë 3 përforcime në ekip, për pjesën pranverore të stinorit.

Të tre përforcimet e Vëllaznimit janë prej ekipeve të Superligë, që tregon edhe interesimin e ekipit kuqezi për tu përforcuar më shumë në luftën e tyre drejt elitës së futbollit të Kosovës.

Kështu, gjakovarët së pari zyrtarizuan Riad Murselin, mbrojtësin anësor me tipare sulmuese nga Ferizaji. Pas tij, ekipi bëri të ditur se ka angazhuar nga Drenica Arbër Shalën, i cili është mbrojtës që lufton shumë për zonën që e mbron.

 

E dje, kuqezinjtë kanë bërë të ditur se kanë siguruar edhe shërbimet e Altin Vojvodës, mesfushorit anësor që dallohet për shpejtësinë e tij. Me këto përforcime dhe të tjerat që mund të vinë në ndërkohë, Vëllaznimi do të bëhet një kandidat tjetër në luftë për Superligë të Kosovës, ku vetëm dy të parat në renditje sigurojnë biletën për aty.

TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE

Kujtojmë, Vëllaznimi ka kryer pjesën e parë të stinorit në Ligë të Parë në pozitën e gjashtë me 34 pikë. Liderja Vushtrria ka 40 pikë. Deri në fund të stinorit, në pranverë do të luhen edhe 16 xhiro. Gjashtë skuadrat e para në renditje të Ligës së Parë po tregohen shumë “kërkuese” në luftë për Superligë aktualisht dhe mbetet të shihet se cilat do të mbesin në garë deri në fund.

Gjithashtu, pozitat tre dhe katër në Ligë të Parë sigurojnë mundesi për t’iu bashkangjitur Superligës përmes playoffit. Së pari luajnë mes vete dhe fituesi i kësaj ndeshjeje luan ndaj ekipit që përfundon i teti stinorin në Superligë.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live