
Ndërkombëtare
Vojvoda me gol dhe lojtar i ndeshjes në fitore ndaj Juventusit
Krahu i Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka shkëlqyer sot, derisa ekipi i tij Como ka arritur të shënojë fitore ndaj rekord-kampionit të Italisë, Juventus, 0-2.
Vojvoda shënoi golin e parë të ndeshjes, ndërsa kontribuoi mjaft në krahun e tij, e pas golit festën së pari e bëri me trajnerin e tij Cesc Fabregas. Në pjesë të dytë, Max Caqueret vulosi fitoren e mysafirëve, Juventus – Como 0-2 [Mërgim Vojvoda 11′, Max Caqueret 61′].
Aktualisht, Juventus i pestë në tabelë ka 46 pikë, ndërsa Comoja është e gjashta me 45 pikë. Në fund të ndeshjes, Mërgim Vojvoda pranoi edhe çmimin e lojtarit të ndeshjes, si futbollisti me paraqitjen më të mirë në këtë duel. Përndryshe, kjo ka qenë humbja e parë e Juventusit prej Comos që prej vitit 1951.
