
Ylli kalon edhe Prishtinën
Në një ndeshje të barabartë deri në fund të çerekut të tretë, Ylli ka bërë dallimin në çerek të fundit të ndeshjes për të fituar duelin ndaj Prishtinës në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” me 12 pikë dallim, 94-82.
Çereku i parë i takoi Yllit, 26-14, i dyti Prishtinës, 17-30, ndërsa i treti thuajse barabartë 23-22 për tu bërë dallimi kryesor në 10 minutëshin e fundit, 28-16, që edhe përcaktoi rezultatin përfundimtar dhe dallimin final në rezultat.
Scott Bamforth përsëri ka treguar cilësitë e tij, ndërsa ka qenë bashkëkoshashënuesi më i mirë i ekipit në fitore, duke dhënë 20 pikë, 4 asistime e 3 kërcime në fitore. Njëzetë pikë i dha edhe Lis Shoshi që bëri edhe 4 kërcime në fitore, ndërsa me 19 pikë u dallua Trevon Allen, që dhuroi edhe 5 asistime. Kapiteni Gëzim Morina dha 15 pikë në fitore.
Prishtina kryesisht u var nga dy lojtarë sa i përket pikëve në këtë ndeshje. Deondre Burns dha 29 pikë, 7 asistime dhe 6 kërcime në këtë ndeshje, ndërsa 20 pikë i shënoi Elijah Clarence, që bëri edhe 7 kërcime.
Fitorja, bën që Ylli të largohet nga pjesa e rrezikshme e tabelës dhe tashmë del në pozitë të gjashtë me bilanc 6-9, me fitoren e dytë radhazi në Superligë dhe të tretën në total, prej ardhjes së Bamforthit në ekip. Prishtina ndërkaq, mbylli xhiron në pozitë të pestë, me 7-8.
