
Ylli kampion i sponsorimit në basketboll, por rezultatet mungojnë!
Në një raport grafik të botuar publikisht nga zyrtari i lartë për licensimin e Federatave sportive në Ministrinë përkatëse, është parë se Ylli është ekipi që ka përfituar më së shumti nga ligji për sponsorim në kuadër të ekipeve të basketbollit të Kosovës përgjatë vitit 2025.
Por, paratë jo gjithmonë po sjellin sukses. Ylli është lider i klubeve të basketbollit për vitin 2025 me mbi 1.2 milionë euro nga ligji, që i mundëson bizneseve lirim nga tatimi vjetor, nëse të hollat ipen për kulturë, rini e sport.
TOP-3’shja shumë afër për kah përfitimet nga ligji për sponsorim
Trepça me vetëm 3 mijë euro më pak se Ylli ka shfrytëzuar secilin cent për t’i shpërblyer donatorët e saj. Mitrovicasit për shumë pak në pozitë të dytë në listën e përfituesve të ekipeve të basketbollit, kanë fituar gjithçka në basketbollin kosovar.
Prishtina në gjendje të mjerueshme, pa trofe, duket mjaft mirë sa i përket të hollave të fituara nga sponsorimet. Ndërkaq Peja në pozitë të katërt në këtë listë, nisi shumë mirë stinorin 2025/26, por pastaj nisi një rënie që tashmë ka lënë ekipin vetëm në garë për playoff të Superligës dhe ka turpëruar skuadrën në ENBL, duke u dënuar për shkak të moszhvillimit të dy ndeshjeve!
Kjo tregon edhe një gjë tjetër, që skuadra mund të ketë të garantuar buxhet milionësh, por sukseset nuk i sjell gjithmonë paraja, por edhe puna e duhur në klub – siç po bën Trepça aktualisht në basketbollin e Kosovës. Mitrovicasit kanë fituar 5 herë Kupën e Kosovës në 5 vitet e fundit, ndërkaq kanë fituar dy tituj të kampionit në dy vitet e fundit, ndërsa qe katër sezone radhazi arrijnë finalen e playoffit!
4 TOP SKUADRAT BASKETBOLLISTIKE
me përfitime nga ligji për sponsorim:
1. Ylli (Suharekë) 1.242.000 euro,
2. Trepça (Mitrovicë) 1.239.000 euro,
3. Prishtina (Prishtinë) 1.210.100 euro,
4. Peja (Pejë) 646.700 euro.
