
3 ndeshje pa shikues në tribunën ballore dhe gjobë!
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ende nuk e ka publikuar vendimin e plotë të Komisionit përkatës, ndërkaq KB Bashkimi pasi që ka publikuar dënimin dhe gjobën, ka bërë të ditur edhe njëherë se tash e tutje kamerat e sigurisë do të identifikojnë personat përgjegjës për sjelle të tilla.
Kujtojmë, në përballjen çerekfinale të Kupës së Kosovës mbrëmë në “Sezai Surroi”, nga tribuna ballore u godit me shkrepëse Dardan Berisha, të cilit iu ça balli. Fatmirësisht, Dardani vazhdoi ndeshjen me fashë, por incidenti u dënua nga të gjitha palët.
E prizrenasit bënë të ditur se ekipi është dënuar me 3 mijë e 200 euro gjobë nga FBK, kurse tri ndeshjet e radhës tifozët nuk do të lejohen të jenë të pranishëm në tribunën ballore të “Sezai Surroit”, që pritet të jetë hendikep i madh për portokallezinjtë.
NJOFTIMI I PLOTË I KB BASHKIMI
Në ndeshjen e fundit ndaj KB GO+Peja, për fat të keq, disa individë të papërgjegjshëm (3–4 persona) hodhën shkrepsa në drejtim të parketit, me ç’rast u godit edhe një lojtar i skuadrës mysafire. Ky veprim i papranueshëm dhe vulgar nuk përfaqëson vlerat e klubit tonë, as shumicën dërrmuese të tifozëve tanë të vërtetë dhe distancohemi nga veprime të tilla që më së paku përfaqësojne klubin dhe qytetin e Prizrenit.
Si pasojë e këtij akti të shëmtuar KB Bashkimin është dënuar me:
• 3,200 € gjobë, dhe
• 3 ndeshje pa praninë e tifozëve në tribunën ballore qendrore të sallës.
Ky dënim nuk është pasojë e klubit, lojtarëve apo tifozëve korrektë, por është një “dhuratë” e hidhur nga disa individë që, qartazi, nuk ia duan të mirën KB Bashkimit dhe po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë klubit që të gjithë e duam.
Është momenti i fundit të që të reflektojmë dhe palestrat tona ti kthjemë ne arena festive e sportive e jo strehë per disa individë qe thirren si tifozë por në të vertetë jan huliganë, andaj bëjmë thirrje të gjithë tifozëve tanë që të na përkrahin me zemër, por gjithmonë me përgjegjësi e qe mos të vuajme pasojat e disa individeve sepse me keto veprime vetem sa do ti largojme shikuesit e pergjegjshem dhe investimet serioze qe behen ne klub.
Nga sot qendra sportive do të jetë e monitorur nga kamerat e sigurisë që do të përdoren për të identifikuar personat e papërgjegjshëm dhe do te lajmërohen ne organet e rendit e do të ju ndalohet hyrja në sallë për të ardhmen.
