
Beciragic sjell përforcim prej Eurobasketit te Trepça
Selektori i Bosnjes dhe Hercegovinës, Adis Beciragic, që arriti deri në të tetën e finales së Eurobasketit, një lojtar të vendit të tij që e drejtoi, e solli edhe te ekipi i tij, Trepça.
Ekipi mitrovicas sot bëri të ditur se ka arritur marrëveshje me lojtarin e pozitës 1, Andan Arslangic, që ishte pjesë e Bosnjes dhe Hercegovinës në Kampionatin Evropian të këtij viti. Së fundi, Arslanagic ka qenë pjesë e ekipit boshnjak, Orlovik.
Arslanagic në Eurobasket mori minuta në ndeshje ndaj Qipros dhe Spanjës gjatë fazës grupore nga Beciragic, ndërsa te ekipi i tij në stinorin e kaluar ka pasur mesatare prej 16.7 pikëve për ndeshje, 4.6 asistimeve dhe 3.6 kërcimeve.
Pos Bosnjes, Arslangic ka luajtur edhe në kampionatin kroat dhe atë slloven. Në Kroaci ka luajtur për Adria Oil Skrljevo dhe Sibenkën, ndërsa në Slloveni për dy stinorë ka qenë pjesë e Ilirijës.
Trepça është kampione aktuale e Kosovës, ndërsa me Adis Beciragicin në krye të saj ka fituar të gjitha trofetë dhe në stinorin që do të nis 2025/26, pret të bëj hat-trick titujsh. Mitrovicasit gjithashtu presin të arrijnë fazën grupore të Basketball Champions League, që është gara më e rëndësishme evropiane e organizuar nga FIBA Europe.