
Trepça e pafuqishme ndaj Heroes Den Bosch, eliminohet nga Basketball CL
Kampionja e Kosovës në basketboll, Trepça, nuk ka arritur t’i bëj ballë pas çerekut të parë ekipit holandez Heroes Den Bosch. Përkundër mundit të mitrovicasve, ekipi holandez qetësisht nuk linte afrimin në rezultat pas epërsisë së krijuar në fund të pjesës së parë.
E kështu në çerekun e fundit Trepça asnjëherë nuk arriti të ngushtojë rezultatin për të bërë më shumë në këtë përballje, derisa ekipi holandez mbante dallimin 6-10 pikësh, për të mbyllur ndeshjen me 12 pikë dallim, Heroes Den Bosch – Trepça 80-68.
Me këtë, Trepça eliminohet prej Basketball Champions League në kualifkime të saj, në raund të parë kualifikues, derisa Heroes Den Bosch shkon tutje për të synuar fazën grupore.
Gjithsesi, mitrovicasit si pjesëmarrës në Basketball Champions League kanë të siguruar me secilin eliminim pjesëmarrjen në FIBA Europe Cup – në fazën grupore.
Përndryshe, sa i përket lojtarëve, ka qenë JaCori Payne me 15 pikë më koshashënuesi më i mirë i Trepçës në këtë ndeshje, ndërsa bëri edhe 5 asistime. Me 11 pikë ndeshjen e mbylli Chad Brown, që bëri edhe 10 këricme, derisa Drilon Hajrizi dha 10 pikë e bëri 5 kërcime në ndeshje.
Te Heroes Den Bosch koshashënuesi më i dalluar ka qenë Kerwin Walton me 14 pikë, ndërsa me nga 13 pikë të shënuara ndeshjen e kryen Menno Dijkstra dhe Keevan Veinot.
Përndryshe, ajo që vlen të përmendet është se tifozërisa mitrovicase për asnjë çast të ndeshjes nuk u ndalë në palestrën e Samokovit, duke brohoritur për ekipin.