
Jovovic: Optimist dhe realist
Trajneri i ri i Bashkimit, Igor Jovovic, është treguar realist para ndeshjes historike për ekipin prizrenas në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup.
Në një prononcim për faqen zyrtare të FBK-së, ai është treguar optimist por edhe realist, siç ka thënë vetë.
“Kjo është një mundësi e madhe për qytetin e Prizrenit fillimisht, por edhe për Bashkimin si klub. Unë jam normalisht në jetë, optimist por edhe realist. Fat në short nuk kemi pasur. Kemi përballë një ekip që vit pas viti është kampion ose nënkampion i Polonisë,” ka thënë ai fillimisht.
“Si njeri që kam punuar atje e di se ata janë shtëpi e madhe basketbolli, janë fuqi. Kanë organizim të madh, cilësi dhe bazë të fortë tifozërie. Për ne do të jetë vështirë. Detyra jonë është që t’ua bëjmë atyre lojën e parehatashme, sidomos këtu dhe t’i sfidojmë fort.” ka shtuar Jovovic.
Bashkimi do të luajë përballjen e parë kualifikuese ndaj Anwilit të mërkurën mbrëma në “Sezai Surroi” me fillim prej orës 19.00. Për prizrenasit, vetë paraqitja në këtë garë është arritje historike.
Klubi ka bërë të ditur gjithashtu se biletat dalin në shitje sot, e martë, ndërsa ekipi pret përkrahje të madhe të tifozëve në këtë ndeshje.
Në rosterin e Bashkimit për këtë ndeshje, në faqen zyrtare të FIBA Europe Cup janë paraqitur: Jan Palokaj, Altin Morina, Timothy Lee Bickerstaff, Jeremiah Bailey, Kyan Anderson, Valon Bunjaku, Besim Bytyqi, Isaiah Cousins, Veton Gjeçaj, De’Quon Lake, Meriton Ismaili, Lejson Zeqiri dhe Fis Jashari.