
Ferizaji me trajner tiranas që do të debutojë në Superligë
Skuadra e Ferizajit ka zyrtarizuar dhe prezantuar sot kryetrajnerin e ri të ekipit. Pas dorëheqjes së Arsim Abazit, ekipi bardhekaltër ka bërë të ditur se ka angazhuar tiranasin Nevil Dede si shef të shtabit teknik të ekipit.
Ish-lojtari i kombëtares shqiptare, tash 50 vjeçari Dede, ka punuar si trajner vetëm në ekipet e Shqipërisë deri tani, ndër më të spikaturat Tirana, Dinamo e së fundi ka drejtuar Bylisin.
Ai gjithashtu për dy vite ka drejtuar edhe Shqipërinë U-19 (prej nëntorit të vitit 2018 deri në nëntorin e vitit 2020). Nevil Dede është i pajisur me licensën A të UEFA-së.
“FC Ferizaj njofton opinionin sportiv dhe të gjithë tifozët tanë se sot, në ambientet e klubit, është prezantuar trajneri i ri i skuadrës sonë, Nevil Dede.
Me përvojë të gjatë si lojtar dhe trajner në futbollin shqiptar, Dede sjell profesionalizëm dhe përkushtim të madh, me synim ngritjen e nivelit të skuadrës dhe arritjen e rezultateve pozitive.
Klubi i uron mirëseardhje dhe shumë suksese në punën e tij me FC Ferizaj.” — shkroi Ferizaji në njoftim.
Ferizaji është i fundit në renditje të Superligës. Humbja e fundit, e thellë nga Prishtina, bëri që trajneri Arsim Abazi të largohet nga detyra. Skuadra ka shënuar vetëm 4 gola në shtatë xhirot e para, ndërsa ka marrë 2 fitore. Ekipi ka 6 pikë, dhe gjindet në pozitën e dhjetë të renditjes tabelare. Këtë fundjavë, pret Drenicën.
Për Nevil Deden, Ferizaji do të jetë ekipi i parë që do ta drejtojë, jashtë Shqipërisë.