
Në sekondat e fundit të kohës shtesë, Prishtina i shkaktoi humbjen e parë Ballkanit
Ish lojtari i Ballkanit, Blend Baftiu, ka shënuar gol në aksionin e fundit të ndeshjes, kur ora tashmë kalonte minutën e gjashtë shtesë të kohës së humbur të shtuar nga gjyqtari Genc Nuza. Pas dëbimit të topit nga portieri, Baftiu nuk e pati vështirë ta dënojë ish ekipin e tij, duke shënuar nga afërsia.
Por, fitorja e ekipit të Arsim Thaqit ka rëndësi edhe më të madhe kur dihet që Ballkani ka qenë ndjekës i parë i tyre, pastaj është nënkampion aktual dhe ka qenë ekipi i vetëm i pamposhtur deri në xhiron e tetë të Superligës. Prishtina njoftoi Ballkanin me fitore, ku mysafirët dominuan në pjesën më të madhe të ndeshjes, si me posedim ashtu edhe me raste.
Mirëpo, ka qenë Altin Gjokaj, portieri i Prishtinës që në disa raste reagoi si duhet për të mbajtur gjallë ekipin e tij deri në fund, e që doli të jetë fitore e madhe. Prishtina lidere tash ka 19 pikë dhe do të qëndrojë në krye të tabelës deri në pushimin e pas kombëtareve, ndërkaq Ballkani për momentin është i dyti, me 15 pikë.