
Kosova triumfon në Suedi, vazhdon ëndrra për Botëror!
Pasi e mposhti në Prishtinë një muaj më parë, Kosova ka arritur ta mposhtë Suedinë favorite edhe në ndeshjen kthyese në Göteborg, ku për ta përcjellë ndeshjen ishin një numër i konsiderueshëm i tifozëve të Kosovës.
Përkundër plot mungesave për shkak të lëndimeve e suspendimeve, Kosova sonte triumfoi 0-1 ndaj Suedisë, fitore që është tejet e rëndësishme për Kosovën në luftën drejt kualifikimit në Kampionatin Botëror të verës së ardhshme.
Epërsia e Kosovës dhe goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 32′ kur Fisnik Asllani e çoi topin në rrjetën suedeze si një sulmues klasik. Asistues te ky gol ishte Veldin Hoxha.
Përveç golit të shënuar, rastin më të mirë për shënim Kosova e pati në fundin e pjesës së parë, kur dy goditje të njëpasnjëshme nga Vedat Muriqi e Leon Avdullahu nuk përfunduan në rrjetë. E para u prit nga portieri suedez, e e dyta përfundoi në shtyllë.
Më pas, Kosova nuk tregoi shumë në sulm, por u mbrojt me mençuri e diciplinë, për ta mbyllur ndeshjen pa pranuar gol dhe me fitore.
Në 20 minutat e fundit të ndeshjes sulmet suedeze u shtuan, por mbrojtja e Kosovës nuk ra në asnjë moment.Si në ndeshjen e kaluar ndaj Sllovenisë, edhe sonte Aro Muric ishte në element kur u thirr në detyrë, bashkë me gjithë vijën mbrojtëse.
Për shkak të kartonit të verdhë që mori sot, Aro Muric do t’i mungojë Kosovës në ndeshjen e ardhshme, e nga suspendimi do të rikthehet Fidan Aliti.
Në ndeshjen tjetër të grupit B sonte, Sllovenia e Zvicra barazuan pa gola.
Kështu, gjasat e Kosovës për ta mbyllur grupin në vendin e dytë rriten dukshëm, vend i cili do ta dërgonte në Play Off në garën drejt kualifikimit në Botëror. Matematikisht është i mundur edhe vendi i parë, por jo edhe logjikisht.
TABELA AKTUALE E GRUPIT B:
2. Kosova 7 pikë,
3. Sllovenia 3 pikë,
4. Suedia 1 pikë.
NDESHJET E MBETURA:
15 nëntor,
Zvicra-Suedia
Sllovenia-Kosova
18 nëntor,
Suedia-Sllovenia
Kosova-Zvicra
Për në Botërorin 2026 kualifikohet direkt vetëm fituesi i grupit. Skuadra që përfundon e dyta siguron të drejtën për ndeshje playoffi, ku duhet të kalojë dy raunde playoffi (gjysmëfinale dhe finale) për të arritur biletën e Botërorit.