Federata sllovene: Biletat për ndeshjen Sllovenia – Kosova, janë shitur të gjitha

Federata e Futbollit të Sllovenisë (NZS) përmes një njoftimit të lëshuar në llogari të rrjeteve sociale të saj si dhe në web-faqen zyrtare, ka bërë të ditur se të gjitha biletat për ndeshjen e 15 nëntorit, ku Sllovenia pret Kosovën janë shitur.

Sllovenia – Kosova, ndeshje e vlefshme për xhiron e pestë të Grupit B kualifikues për Botërorin 2026 është mjaft e rëndësishme për të dyja kombëtaret. Derisa Sllovenia kërkon fitoren e parë në grup dhe opcionin për t’iu afruar playoffit, Kosova kërkon së paku një pikë për të qenë rehat për playoff. Kosova në “Fadil Vokrri” barazoi 0-0 me Slloveninë gjatë muajit tetor.

Ndeshja do të zhvillohet në “Stozice” të Ljubljanës, ndërsa kapaciteti i stadiumit është rreth 16 mijë e 500 ulëse. Por, NZS ka bërë të ditur se të gjithë ata që kanë blerë bileta të sillen në mënyrë sportive në tribuna si dhe hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm me simbolet e ekipit kombëtar të Sllovenisë (me përjashtim të sektorit të mysafirëve).

Në anën tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk ka bërë të ditur se kur do të dalin në shitje biletat për tifozët e Kosovës në këtë ndeshje dhe as sa do të jenë në dispozicion.

TABELA E GRUPIT B:

1. Zvicra, 10 pikë
2. Kosova, 7 pikë
3. Sllovenia, 3 pikë
4. Suedia, 1 pikë.

Ndeshjet e mbetura:

15 nëntor,
Sllovenia-Kosova
Zvicra-Suedia

18 nëntor,
Kosova-Zvicra
Suedia-Sllovenia.

(Foto: NZS/facebook)

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live