
“Transferi i stinorit” — Si arriti Xhaka ta çojë Sunderlandin në TOP-4?!
Pas dhjetë xhirove të para të përfunduara të stinorit në Premier Ligë, kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, deri tani është quajtur si “transferi më i mirë i stinorit”. Ai dha kontribut të madh në lojën e ekipit të rikthyer në Premier Ligë pas një periudhe dramatike rënëse. Ndërsa aktualisht, kur ka përfunduar çereku i parë i ndeshjeve kampionale, Sunderland është në pozitë të katërt të tabelës së Premier Ligës!
Diçka e paimagjinueshme më parë. E papritur edhe me transferin e Xhakës, kontributi i të cilit doli të jetë edhe më i madh sesa që pritej.

“Macet e Zeza” siguruan Xhakën në verën që e lamë pas, duke e transferuar nga Bayer Leverkuseni për 15 milionë euro. Ata as që kanë pritur një ndikim kaq të madh të tij në lojën e ekipit dhe lidership të fortë.
“Deri tani ai është transferi më i mirë i këtij stinori. A ka ndonjë lojtar tjetër që po bën kaq ndikim të madh te ndonjë ekip tjetër? Me sa po duket, nuk ka. Ai edhe mbrëmë ishte i shkëlqyeshëm, duke qenë mbi të gjithë në fushë, me kokë e me këmbë në secilën luftë.” — ka thënë ish lojtari i Liverpoolit, Jamie Carragher.
Granit Xhaka (33) po luan rolin e liderit të ekipit. Atij i është dhënë shiriti i kapitenit. Ndërsa pos tjerash, ai edhe me statistika po tregon nivelin e lartë të lojës së tij.

“Ai është i vetmi në ekip me përvojë të vërtetë. Ata mund t’i besojnë atij për çdo gjë në fushë. Gjithashtu, ai edhe po tregon performancë të lartë të lojës.” — ka thënë ish mbrojtësi i ekipit, Jonny Evans.
Xhaka, që është edhe kapiten i përfaqësueses së Zvicrës, shënoi mbrëmë golin e parë për ekipin e tij, për të siguruar barazim ndaj Evertonit në shtëpi, ndërsa Sunderland pas dhjetë xhirove të para nuk është mposhtur asnjëherë në “Stadium of Light”.
Xhaka është lider te pasimet e gjata (52) në Premier Ligë. Ai është në TOP-20 të Premier Ligës me pasime (552), topa të futura në 16-she (56) dhe fitim të posedimit të topit (49).
Graniti ka bërë tre asistime deri tani, liderët e asistimeve në ligë i kanë nga 4 sosh. Ai është në TOP-10 të Premier Ligës me raste të krijuara.

“Ai është vërtetë i rëndësishëm. Ne në ekip kemi shumë lojtarë të rinj dhe shumë lojtarë debutues në këtë ligë. Ata nuk e kuptojnë shpejt nivelin e ligës, për këtë lojtarë si Graniti kryejnë punë të madhe që ka rëndësi të madhe në lojë të ekipit. Unë jam i lumtur që e kam në ekip një lojtar si ai. Ai dëshiron të luajë futboll, të jetë garues, sfidues dhe është gjithmonë në lojë, duke vendosur standarde.” — ka thënë trajneri i “Maceve të Zeza”, francezi Regis Le Bris.
Sunderlandi pas dhjetë xhirove të para në Premier Ligë është në pozitën e katërt. Ekipi që iu rikthye elitës së futbollit anglez këtë verë, ka arritur kuotën e 18 pikëve deri tani, sa ka edhe Liverpool në pozitë të tretë. Manchester City ka 19 pikë në pozitë të dytë, ndërsa lider është Arsenali me 6 pikë mbi Cityn. (Marrë nga BBC Sport)
