
Prishtina – Drita, shtyhet
Përballja shumë e rëndësishme, derbi, e xhiros së XIII të Superligës së Kosovës ku Prishtina pret Dritën është shtyer për një kohë të pacaktuar! Njoftimin e ka bërë të ditur FC Prishtina pak më parë, derisa ka njoftuar se për shkak të ftesave që kanë marrë lojtarët e Dritës nga kombëtaret përkatëse të tyre, kjo ndeshje do të caktohet për një datë tjetër.
Prishtina ka shkruar se për këtë ndeshje do të njoftojë FFK-ja në ditët në vijim, se cila datë do të jetë e lirë për tu zhvilluar. Kujtojmë, Prishtina është lidere e Superligës pas XII xhirove me 26 pikë, ndërsa Drita është e treta në tabelë me 20 pikë. Fillimisht, kjo ndeshje ka qenë e paraparë të luhet më 11 nëntor, të hënën.
“Komisioni i garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka vendosur të anulojë ndeshjen ndërmjet FC Prishtina dhe FC Drita, e cila ishte paraparë të zhvillohej të hënën, më 11 nëntor, në kuadër të javës së 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës. Sipas FFK-së, arsyeja e anulimit është ftesa e dy futbollistëve të FC Drita-s nga kombëtaret përkatëse, çka ka ndikuar në pamundësinë e zhvillimit të ndeshjes në terminin e paraparë. Për terminin e ri të këtij ballafaqimi, FFK do të njoftojë në ditët në vijim.” — bëri të ditur FC Prishtina në njoftim.
