
Kosova kreu stërvitjet e para me 10 lojtarë
Kombëtarja e Kosovës e ka nisur sot grumbullimin për dy ndeshjet e fundit dhe vendimtare në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Seanca e parë stërvitore u mbajt në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.
Në këtë seancë morën pjesë dhjetë futbollistë: Visar Bekaj, Faton Maloku, Ilir Krasniqi, Leard Sadriu, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Valon Berisha, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe Fisnik Asllani.
Pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi Foda bëri rigjenerim në palestër në hotel, pas ndeshjeve të zhvilluara me klubet e tyre përkatëse gjatë fundjavës.
Dardanët do të përballen të shtunën në Lubjanë me Slloveninë, ndërsa të martën e ardhshme do të mbyllin ciklin kualifikues me ndeshjen ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”.
Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova ndodhet në vendin e dytë të grupit me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra lidere. Sllovenia renditet e treta me tri pikë, ndërsa Suedia është e fundit me një pikë.
Vendi i parë i grupit siguron kualifikimin direkt në Botëror, ndërsa skuadra e vendit të dytë do të ketë mundësinë të garojë në fazën e ‘play-off’-it. Për të siguruar ‘play-off’-in Kosovës i duhet vetëm një pikë, derisa ekzistojnë edhe mundësitë e kualifikimit direkt, por gjithçka do të vendoset në dy xhirot e fundit të këtij grupi.
Seancën e radhës stërvitore Dardanët e zhvillojnë, të martën, në orën 11:00.
REZULTATET E DERITASHME:
5 shtator,
Zvicra-Kosova 4-0
Sllovenia-Suedia 2-2
Zvicra-Sllovenia 3-0
Kosova-Sllovenia 0-0
Suedia-Kosova 0-1
Sllovenia-Zvicra 0-0
TABELA AKTUALE E GRUPIT B:
2. Kosova 7 pikë,
3. Sllovenia 3 pikë,
4. Suedia 1 pikë.
NDESHJET E MBETURA:
15 nëntor,
Zvicra-Suedia
Sllovenia-Kosova
18 nëntor,
Suedia-Sllovenia
Kosova-Zvicra.
Për në Botërorin 2026 kualifikohet direkt vetëm fituesi i grupit. Skuadra që përfundon e dyta siguron të drejtën për ndeshje playoffi, ku duhet të kalojë dy raunde playoffi (gjysmëfinale dhe finale) për të arritur biletën e Botërorit.
