
Vushtrria mposhtë Vëllaznimin, e mbyllë gjysmën e sezonit në krye
Në një atmosferë tejet të mirë sportive në “Ferki Aliu”, Vushtrria sot ka shënuar fitore 2-1 ndaj Vëllaznimit në kryendeshjen e xhiros XVII në Ligën e Parë.
Pjesa e parë e takimit në fjalë u mbyll 1-1.
Ishte Theophilus Solomon ai që shënoi për 1-0 të Vushtrrisë, gol i cili erdhi pas një akcioni tejet të mirë të vendasve. Pasimin e Ebrima Jattës nga krahu i majtë, Solomon e çoi qetësisht në rrjetë.
Barazimi i gjakovarëve erdhi në minutën e 39’, kur Ardian Hoti shënoi një supergol me volej pas një krosimi të ardhur prej Qemail Elshanit nga goditja këndore.
Në pjesën e dytë, ishin vendasit ata që e gjetën golin e fitores. Me një goditje fantastike me të parën, Ramush Ramadani shënoi për 2-1 të Vushtrrisë në minutën e 73′, e me këtë rezultat u mbyll ndeshja.
Kështu, gjysma e sezonit të Ligës së Parë mbyllet me Vushtrrinë lidere, por padyshim që shumë skuadra mbeten në garë për ngjitje në Superligë, pasi që siç dihet janë edhe 17 ndeshje për t’u luajtur.
Para pushimit dimëror, skuadrat e Ligës së Parë do ta luajnë edhe një xhiro në ligë, ndërkohë që do të zhvillohen edhe ndeshjet e Kupës së Kosovës në fillim të muajit dhjetor.
