
Pas 3 humbjeve, Prishtina gjen fitoren!
Prishtina është këndellur, edhe pse me mund! Pas tri humbjeve rresht të regjistruara në Superligë, bardhekaltërit i janë kthyer fitores në një ndeshje mjaft të vështirë sonte, duke shënuar fitore ndaj debutuesit në Superligë, Rahovecit 029!
Prishtina fitoi ndeshjen me rezultat të ngushtë, 75-73, ndërsa dallimin e bëri në çerek të fundit, të cilin e mori 22-15 për të përmbysur epërsinë e vreshtarëve të arritur pas çerekut të tretë, 14-20. E tëra kjo në mënyrë dramatike, pasi që Bailey dha treshe 44 sekonda para fundit të ndeshjes për të barazuar rezultatin në 73-73, kurse Burns shënoi për fitore 8 sekonda para fundit të ndeshjes, pasi që Isaiah Umipig i Rahovecit 029 nuk kishte arritur të shënojë në sulmin e vreshtarëve.
Dyshja Adrio Bailey dhe Deondre Burns kanë treguar lojë të mirë në këtë fitore, ndërsa prej vendorëve është dalluar Don Polloshka. Bailey shënoi 22 pikë, 5 kërcime, Burns luajti me 19 pikë e 5 asistime, kurse Polloshka dha 10 pikë, 6 asistime e 4 kërcime në këtë fitore.
Isaiah Umipig luajti 40 minuta pa pushim te Rahoveci 029. Ai dha 14 pikë, 8 asistime e 4 kërcime në këtë ndeshje, ndërsa më së shumti pikë për ekipin e drejtuar nga Bujar Loci dhanë Julien Roche dhe Anthony Patty – nga 17 sosh secili.
Me këtë fitore, Prishtina neutralizon bilancin e saj në 5-5 pas 10 xhirove të para të stinorit, ndërkaq Rahoveci tash bëhet me bilanc 4-6.
