
Ike Nwamu – tjetër përforcim i Bashkimit!
Të rënduar nga lëndimet, prizrenasit janë duke reaguar në treg duke sjellë përforcime. Mbrëmë zyrtarizuan amerikanin që luan si vendor në Kosovë, reprezentuesin Malcolm Armstead, ndërsa pak më parë bënë të ditur se kanë angazhuar edhe nigerianin Ike Nwamu!
Ky i fundit është me përvojë të madhe në basketbollin evropian, ndërsa lojtari i pozitave 1/2 ka qenë pjesë e ligës franceze, greke e turke. Ai së fundi ka qenë pjesë e Ankaragucut në ligën e dytë të Turqisë, kurse më parë ka luajtur për ekipe si Nancy, Chartres në Francë dhe të tjera.
Te Ankaragucu së fundi, ai ka pasur mesatare prej 17.2 pikëve, 4.5 aistimeve dhe 2.7 kërcimeve për ndeshje.

Nwamu është 196cm i gjatë, ndërsa aktualisht është 33 vjeç. Ai ka bërë karrierë edhe në SHBA duke qenë pjesë e ekipeve si Winsconsin Herd, Indiana Mad Ants, Northern Arizona Suns.
Te Bashkimi së fundi janë lënduar tre lojtarë bartës në ekip. Isaiah Cousins, Jeremiah Bailey dhe Valon Bunjaku nuk do të kenë mundësi të luajnë për minimalisht 4 javët e ardhshme. Ky i fundit deri në gjashtë javë.
Bashkimi nisi stinorin në mënyrë perfekte me 7-0! Ishte lider i pakontestueshëm. Por, prej se u largua Jan Palokaj nga ekipi, klubi duke menduar për zëvendësimet e tij u godit nga lëndimet. Dhe kjo solli tani tre humbje rresht në ciklin e dytë të ndeshjeve të Superligës. Sidodqoftë, falë rezultateve tjera në Superligë, portokallezinjtë ende mbesin liderë të Superligës, përkundër se bilancin tani e kanë 7-3.!
