
Kosova në 2025!
Si zakonisht, edhe këtë fundvit TopSporti bën përmbledhjen e ngjarjeve kryesore sportive në vendin tonë përgjatë vitit kalendarik që po e lëmë pas.
Viti 2025 do të jetë një vit për t’u mbajtur mend në sportin vendor për shumë arsye, si në aspektin individual e si në atë ekipor.
Cilët ishin ngjarjet kryesore sportive të vitit 2025? Nga shumë e shumë ngjarje sportive nga sportet e ndryshme, kemi veçuar disa që duhen përmendur.
1. Kosova në Play Off drejt Kampionatit Botëror
Padyshim ngjarja kryesore e vitit 2025 në sportin vendor është arritja e Play Off-it drejt Botërorit 2026 për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Edhe pse ishte në një grup tejet të vështirë kualifikues me Zvicrën, Slloveninë e Suedinë, Kosova e drejtuar nga Franco Foda arriti të përfundojë e dyta e grupit, duke siguruar Play Off-in e Botërorit dhe duke mbajtur ëndrrën për Botërorin historik gjallë. Në mars, fillimisht Kosova përballet me Sllovakinë në gjysmëfinalen e Play Off-it, e nëse fiton aty në finale luan ndaj fituesit të duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.
2. Drita kalon në fazën e eliminimit direkt në Conference League
Vit fantastik për FC Dritën, kampionen në fuqi të Kosovës në futboll. Gjilanasit arritën që të bëhen skuadra e parë në histori të futbollit kosovar që kalojnë në fazën e eliminimit direkt në UEFA Conference League. Fazën e ligës në këtë garë, Drita e kaloi me 8 pikë të mbledhura pas 6 ndeshjeve, ndonëse u përball me kundërshtar tejet të vështirë dhe me shumë më shumë përvojë në garat evropiane. Financiarisht, Drita mori gati 6 milionë euro nga UEFA-ja për shkak të rezultateve të arritura në garat evropiane gjatë këtij viti.

3. KB Trepça e KBF Bashkimi dominojnë basketbollin vendor, KB Vëllaznimi fiton Ligën Unike
KB Trepça e KBF Bashkimi ishin skuadrat dominuese në basketbollin vendor, duke fituar Superligat përkatëse të basketbollit, ndërsa Liga Unike u fitua nga KB Vëllaznimi. Për gjakovarët ky ishte titulli i parë i fituar pas 29 viteve.

4. Sporti i xhudos, përsëri “Miniera e Kosovës”
Si zakonisht, edhe këtë vit sporti i xhudos ishte “Miniera e Kosovës”. Medalje sollën shumë xhudistë e xhudiste, por viti 2025 mund të quhet lirisht viti i Distrias.
Distria Krasniqi fitoi medalje në çdo garë ku mori pjesë. Kulmin e arriti në Evropian, ku e mori medaljen e artë, si dhe në Kampionatin Botëror, ku u shpall nënkampione. Kështu Distria Krasniqi e mbylli vitin 2025 si xhudistja më e mirë në Botë në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Në gara të ndryshme medalje fituan edhe Laura Fazliu, Shpat Zeka, Akil Gjakova e Dardan Shabani, e ndërkohë pati edhe suksese nga xhudistët e xhudistet e grupmoshave më të reja, me punën e palodhshme të Driton Kukës me ekip që nuk ka të ndalur.

5. Treshja e Hoffenheimit, Edon Zhegrova e Vedat Muriqi
Vit i suksessëm 2025-shi ishte edhe për plot futbollistë të Kosovës anembanë botës. Transfere të ndryshme pati për plot prej tyre, por vit për t’u mbajtur mend ky ishte për Muriqin, Zhegrovën dhe treshen e Hoffenheimit.
Vedat Muriqi ruajti formën e mirë dhe golat për Mallorcën në Spanjë, Edon Zhegrova arriti transferin nga Lille te Juventus për afro 15 milionë euro, ndërkohë Fisnik Asllani, Leon Avdullahu e Albian Hajdari arritën të bëhen startues të rëndësishem te Hoffenheimi në Bundesligën gjermane. Treshja e përfaqësueses së Kosovës përveç ndeshjeve të mira me përfaqësusen e Kosovës, treguan cilësitë e tyre edhe në Bundesligë, me ç’rast vlera e tyre personale pësoi ngritje të konsiderueshme dhe verën që vjen me shumë gjasa ofertat për ta nga klube edhe më të mëdha të Evropës nuk pritet të mungojnë.
6. Islam Selmani me medalje të argjendtë në Kampionat Botëror
Viti 2025 ishte i suksessëm edhe për karateistin Islam Selmani. Në Kampionatin Botëror që u mbajt në Kajro, Islam Selmani arriti ta fitojë medaljen e argjendtë, që është arritja më e madhe e një karateisti nga Kosova në një nivel të tillë të garave.
Selmani garoi në kategorinë deri në 60 kilogramë dhe në finale u mposht nga turku Eray Samdan.

7. Gresa Bakraçi, nënkampione e Ballkanit në 3000 metra
Një vit mjaft i mirë ishte ky për Gresa Bakraçin, vrapuesen nga Kosova. Gresa Bakraçi në korrik mori medalje të argjentë në Kampionatin e Ballkanit që u mbajt në Volos të Greqisë.
Në 3000 metra vrapim, Gresa arriti kohën 9:17.80 që ia siguroi asaj medaljen e argjendtë në këtë garë. Njëkohësisht kjo është një kohë rekorde sa i përket garuesve kosovar në atletikë.

8. Kosova U18 kualifikohet në Botërorin e hendbollit
Vit mjaft i mirë edhe për përfaqësuset e Kosovës në hendboll te vajzat dhe te djemtë, sidomos për Kosovën U18 te djemtë.
Kosova U18 triumfoi në fazën ndërkontinentale të IHF Trophy, që u mbajt në Prishtinë gjatë muajit mars, dhe kështu siguroi kualifikimin në Kampionatin Botëror për këto grupmosha.
Gjithashtu, në garën IHF Trophy për grumposhat U19, Kosova përfundoi në vendin e dytë, pas Bullgarisë fituese. Kjo garë u zhvillua në Prishtinë, njëjtë sikurse gara e njëjtë për grupomoshat U17.
9. Donjeta Sadiku, e artë në Poloni
Në muajin maj të vitit 2025, Donjeta Sadiku, arriti ta fitojë medaljen e artë në turneun “Feliks Stamm” në Poloni.
Boksierja më e suksseshme kosovare e viteve të fundit në finale dominoi ndaj britanikes Elise Glynn, duke e mposhtur me rezultat 5:0.
Në Varshavë, Donjeta pati tri meçe. Fillimisht ajo fitoi në çerekfinale ndaj polakes Aleksandra Jankowiak, në gjysmëfinale e mposhti olimpisten nga Italia, Rebecca Nicoli, dhe në fund fitoi ndaj anglezes së lartpërmendur në finale.
Turneu në fjalë, “Feliks Stamm”, është garë e World Boxing, e evidentuar si Kupë Botërore. World Boxing njihet si federata e re e boksit amator dhe ka përkrahje të plotë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

10. Klubet e hendbollit në Evropë, sukses përkundër problemeve jashtë fushës
Edhe këtë vit vajzat e Istogut në hendboll patën një vit të suksesshëm, përkundër problemeve të theksuara jashtë fushës. KHF Istogu, në mungesë të palestrës për stërvitje dhe për zhvillim të ndeshjeve, shkoi deri në rrethin e tretë të Kupës Evropiane EHF (EHF European Cup).
Aty Istogu u eliminua pas dy ndeshjeve nga skuadra portugeze Madeira Andebol. Në mungesë të palestrës për zhvillim të ndeshjeve dhe të përkrahjes institucionale, KHF Istogu i luajti të dyja ndeshjet në Portugali. Madje, për shkak të problemit të pajisjes me viza, Istogut i munguan edhe disa lojtare.
Te meshkujt, KH Rahoveci u eliminua në rrethin e dytë të Kupës Evropiane nga skuadra Dudelange e Luksemburgut. Në të njëjtin rreth të garave u eliminuan edhe KH Kastrioti e KH Besa. Ferizajasit u eliminuan nga Red Boys Differdange, kampioni i Luksemburgut, kurse Besa nga kampioni i Bosnjë-Hercegovinës, Izvigjaçi.




