
Bashkimi fiton dramën pas dy vazhdimeve në “Karagaç”
Ndeshja më e gjatë e stinorit të rregullt përfundoi me fitore të Bashkimit, në një dramë të vërtetë të zhvilluar në “Karagaç” ku prizrenasit përkundër të gjithave arritën të sigurojnë fitoren ndaj Pejës me rezultat përfundimtar, 118-119!
Në kohë të rregullt, ndeshja përfundoi me rezultat 91-91. Peja kishte fitoren në duar, ndërsa Lejson Zeqiri në shutin e fundit shënoi treshe për të barazuar duelin! Tentimi i pejanëve në fund, nuk gjeti koshin kur kishin mbetur edhe 2 sekonda deri në fund të lojës.
Vazhdimet e para nuk sollën fitues, derisa Tajh Green kësaj radhe ia zgjati Pejës lojën kur shënoi në sekondën e fundit të vazhdimit të parë për të barazuar përsëri 104-104! Kurse në fund të vazhdimit të dytë, Kyan Anderson shënoi pikët nga gjuajtja e lirë për të bërë dallimin 4 pikë, e treshja e Musab Malës në sekondën e fundit, nuk mjaftoi dhe ndeshja përfundoi me 118-119 në të mirë të portokallezinjëve.
Kjo ishte fitorja e nëntë kampionale e Bashkimit, për ta mbajtur vendin e dytë derisa tash Peja me bilanc 8-5 është e treta. Sa i përket lojtarëve Kyan Anderson ka qenë koshashënuesi më i dalluar te Bashkimi me 29 të shënuara, ndërsa 22 i dha Lejson Zeqiri. Anderson përndryshe ka shutuar shumë mirë për tre pikë, me saktësi 50% duke shënuar 4 nga 8 tentimet e tij.
Prej vendorëve të Bashkimit më efikasi ka qenë Meriton Ismaili që dha 17 pikë, me gjithashtu 50% saktësi për tre pikë, 3 prej 6 tentimeve. Përndryshe, Zeqiri ka qenë më i angazhuari sonte në parket, duke qëndruar 45.25 minuta në lojë!
Tajh Green ka qenë lojtari më i dalluar jo vetëm i Pejës sonte, ndërsa ka kryer lojën me 35 pikë, 3 asistime e 11 kërcime. Musab Mala ka shënuar 18 pikë, 6 asistime e 4 kërcime, duke qenë më i angazhuari te Peja me 41.56 minuta në lojë.
