Vëllaznimi siguron playmaker me përvojë?!

Skuadra e Vëllaznimit, që këtë stinor nuk e nisi në mnëyrë më të mirë Superligën dhe ndërroi trajnerin, aktualisht është e fundit në renditje tabelare të Superligës.

Ekipi gjakvoar, që pas ndarjes së rrugëve me Jeronimo Sarinin është duke u drejtuar nga malazezi Rajko Krivokapic është i interesuar të sigurojë shërbimet e një lojtari me përvojë nga basketbolli i Kosovës.

Sipas informacioneve që ka marrë TopSporti.com kuqezinjtë e Gjakovës janë shumë afër nënshkrimit me basketbollistin me përvojë nga Superliga, me amerikanin Derrick Wilson!

Wilson 33 vjeçar, 187cm i gjatë, ka luajtur për dy stinorë te Prishtina, ndërsa në stinorin e kaluar ka djersitur fanellën e Yllit. Në stinorin e fundit në Superligë ai ka pasur mesatare prej 10.1 pikëve për ndeshje, 4 asistimeve dhe 3.8 kërcimeve.

Mbetet të shihet nëse Vëllaznimi do të bëj lëvizjen përfundimtare për këtë lojtar me mjaft përvojë dhe njërin ndër organizatorët e dalluar të skuadrave të përmendura të Superligës.

Gjakovarët gjenden në pozitën e dhjetë (të fundit) të tabelës dhe kanë bilanc 4-9 pas 13 ndeshjeve të para të stinorit. Sikurse ajo për titull, edhe lufta për mbijetesë do të jetë shumë e zjarrtë këtë stinor – nëse skuadrat vazhdojnë me këtë ritëm, ku secili mund ta mposhtë secilin.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live