
Rreshtoi golat me Ramiz Sadikun, prezantohet te Prishtina
Lojtari ofanziv i Ramiz Sadikut, është zyrtarisht tash e tutje futbollisti më i ri i kampionit të shumëfishtë të Kosovës, Prishtina. Bardhekaltërit nga kryeqyteti kanë bërë të ditur dje se kanë nënshkruar kontratë më mesfushorin ofanziv që rreshtoi golat te “industrialistët” gjatë stinorit vjeshtor të Ligës së Parë, Arjol Bllaca.
Ky i fundi, 20 vjeçar shënoi 10 gola në Ligë të Parë këtë stinor, ndërsa nën drejtimin e Alban Dragushës Ramiz Sadiku arriti rezultate impresive gjatë pjesës vjeshtore të stinorit aty. Gjithashtu, Bllaca ka kaluar në të gjitha grupmoshat e Kosovës deri tani dhe Afrim Tovërlani e njeh mirë atë.
“Mesfushori 20-vjeçar Arjol Bllaca është përforcimi i parë i FC Prishtinës për sezonin pranveror, duke u transferuar nga KF Ramiz Sadiku, ku realizoi 10 gola dhe u dallua me paraqitje shumë të mira.
Bllaca ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Kosovës U15, U17, U19 dhe U20, ndërsa më parë ka qenë pjesë edhe e klubeve Ballkani dhe 2 Korriku.
Ai pritet të jetë një shtesë e rëndësishme në repartin e mesfushës për pjesën pranverore të sezonit.
FC Prishtina i uron mirëseardhje Arjol Bllacës dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.” shkroi FC Prishtina në njoftim.
