Viti i Ri me trajner të ri

Vëllaznimi Vitin e Ri 2026 e fillon me trajner të ri. Të zyrtarizuar në orën e fundit të vitit 2025, kuqezinjtë sikur ia bënë befasi publikut ardhjen e trajnerit, që ka punuar një kohë me ta, Leotrim Krasniqi.

Të njëjtën, Vëllaznimi e pat shkarkuar nga detyra edhe pse i kishte ngritur lart në tabelë në stinorin e kaluar me një arsyetim “taktik”!

Tani, Vëllaznimi e prezantoi atë si rikthim i një kapitulli të papërfunduar në Gjakovë.

“Me kënaqësi ju prezantojmë kryetrajnerin e ekipit tonë, një kapitull që pati nisur dhe tani do të vazhdojë me vizion të qartë, me energji të re dhe ambicie për suksese të mëdha.” – shkroi njoftimi i klubit.

Krasniqi kishte punuar në pjesën e parë të stinorit të kaluar me Vëllaznimin. Edhe pse ishin në dy vendet e para në fund të stinorit vjeshtor, gjakovarët e kishin shkarkuar për të sjellë Mirel Josën në krye të ekipit. Josës, nuk i zgjati puna te Vëllaznimi aspak, pasi që nuk i eci asgjë për dore. E zëvendësuan me Xhengis Rexhepin!

Përndryshe, Leotrim Krasniqi mori drejtimin e Dinamos së Ferizajit në xhiron e gjashtë të këtij stinori dhe i ngriti ata në renditjen tabelare të Ligës së Parë. Derisa ferizajasit ishin në pjesën e poshtme të tabelës, me “Lautën” siç e thërrasin Leotrim Krasniqin, ata mbyllën vjeshtën në pozitë të tretë me 37 pikë, 3 më pak sesa liderjsa Vushtrria.

Vëllaznimi përndryshe, e ka kryer vjeshtën në pozitë të gjashtë me 34 pikë.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live