
“Elektricistët” zyrtarizojnë trajnerin e ri, në projekt tre-vjeçar
KEK-u, që ndau rrugët me Enis Nasufin me të përfunduar stinori vjeshtor i Ligës së Parë, ka zyrtarizuar sot trajnerin e ri të klubit. “Elektricistët” kanë bërë të ditur se në krye të shtabit teknik të ekipit të parë të tyre kanë vendosur kapitenin e deritashëm të skuadrës, Besart Dushi.
Përvoja, disiplina dhe puna e tij me ekipin U-17 ka bërë që drejtuesit e KEK-ut t’ia besojnë ekipin e parë Dushit për një projekt tre-vjeçar.
“Kryesia e FC KEK ka vendosur që kapiteni Besart Dushi të emërohet trajner i klubit, me një projekt trevjeçar.
Besart Dushi ka një karrierë të pasur si futbollist, duke qenë më herët pjesë e klubeve Ferizaj, Drenica dhe Arbëria, ndërsa tash e 7 vite është kapiten i FC KEK, duke u shquar për lidership, disiplinë dhe përkushtim maksimal.
Ai tashmë është dëshmuar edhe si trajner, pasi për 4 vite ka udhëhequr gjeneratën U17, ku ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, duke e shpallur ekipin kampion në nivel nacional të Kosovës.
Si një djalë punëtor, futbollist i dalluar në fushë dhe me vizion të qartë, Besarti nis tani një karrierë premtuese si trajner i ekipit të parë.
Klubi ka besim të plotë në aftësitë dhe përvojën e tij dhe do ta mbështesë maksimalisht, me synimin që rezultatet e FC KEK të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm.” – shkroi KEK-u në njoftim.
KEK-u vjeshtën në Ligë të Parë e kreu në pozitën e 14-të me vetëm 4 fitore e 3 barazime, por morrën edhe 11 humbje! Ekipi i ka 15 pikë dhe ka vetëm 3 pikë më shumë sesa ekipet tjera që janë në zonë të rënies në tabelë.
