
Liria zyrtarizon Ismet Munishin si kryetrajner të ekipit
Ashtu siçu ju njoftuam gjatë ditës, edhe ndodhi. Ismet Munishi pas përfundimit të bisedimeve me drejtuesit e klubit dhe paraqitjes në “Përparim Thaçi” gjatë ditës, është zyrtarizuar si trajner i ri i Lirisë para pak minutash!
Trajneri 51 vjeçar që ka drejtuar shumë skuadra të Kosovës, e së fundi Dukagjinin në Superligë, ndër ekipet e pakta me emër që nuk i ka drejtuar ka qenë Liria. E tani, do ta ketë edhe Lirinë në CV të veten, ndërkaq drejtuesit presin që me trajnerin në fjalë të sigurojnë biletën për në Superligë këtë stinor.
TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE
Liria e zyrtarizoi atë me pak fjalë në statuse të llogarive të rrjeteve sociale.
“Mirë se vjen, Ismet Munishi! FC Liria mirëpret trajnerin e ri të ekipit të parë. Munishi është një nga emrat më të njohur të futbollit kosovar.” — shkroi FC Liria në njoftim. Po aty, Munishi në komente shkroi shkurt me emoji, një zemër të bardhë e një të zezë, me ngjyrat e klubit.
Për Lirinë, që me ngulm po synon Superligën, fillimi i stinorit pranveror nuk nisi mirë, pasi që ata u mposhtën thellë nga njëri prej rivalëve kryesorë në këtë rrugëtim, Trepça’89 dje. Mitrovicasit fituan 1-4 në Prizren. Liria deri tani ka në total tri disfata këtë stinor 2025/26, dy prej tyre erdhën prej Trepçës’89!
E gjashta në renditje, me 36 pikë pas 19 ndeshjesh. 5 pikë më pak sesa kryesuesja Vushtrria dhe me 5 ekipe mbi ta me të njëjtin synim — Superligën. Mbetet të shihet se si do të vazhdojë pjesa pranverore e stinorit për Lirinë, ku kanë mbetur edhe 15 xhiro deri në fund dhe 45 pikë janë në total në lojë për secilin ekip! A do të ketë këndellje dhe luftë drejt Superligës, apo rënie dhe dorëzim nga gara për elitën e futbollit kosovar këtë stinor, 2025/26?
Me këtë, tashmë edhe lirisht mund të thuhet se prishtinasi do të debutojë për Lirinë të enjten, më 12 shkurt, në përballje ndaj Gjilanit, në kuadër të së tetës së finales së Kupës së Kosovës. Përndryshe, trajneri Munishi përkundër se ka drejtuar mbi 10 skuadra në Kosovë ka vetëm një titull kampioni të fituar – atë me Vushtrrinë, kur Milot Rashica doli si supertalent i futbollit të Kosovës!
