
KHF Istogu me letër publike – palestra nuk funksionon!
Njëra ndër skuadrat më të mira të hendbollit të femrave në Kosovë, KHF Istogu i është drejtuar me një letër publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Komunës së saj.
Aty, është bërë e ditur se palestra e Istogut është jofunksionale dhe nuk ka kushte për tu zhvilluar aktivitetet sportive. Mëposhtë, letra e plotë e KHF Istogut.
LETËR PUBLIKE
Drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë se Republikës së Kosovës dhe Komunës se Istogut
Përmes kësaj letre publike, dëshirojmë t’u drejtohemi institucioneve të Republikës së Kosovës me një kërkesë të arsyeshme, të drejtë dhe tejet të domosdoshme për qytetin e Istogut.
Duke marrë parasysh faktin se deri më sot nuk ka pasur asnjë iniciativë dhe asnjë përpjekje serioze për funksionalizimin e palestrës sportive në Istog, ndonëse jemi në vitin 2026 dhe kanë kaluar gati 30 vite nga përfundimi i luftës, Istogu mbetet komuna e vetme në Kosovë pa një palestër sportive funksionale. Ndërtimi i palestrës ka nisur para më shumë se dy dekadash, por ajo asnjëherë nuk është përfunduar dhe nuk është vënë në shërbim të qytetarëve.
Në këtë situatë, sporti në Istog ka mbetur pothuajse tërësisht i anashkaluar. Klubet sportive të qytetit përballen me vështirësi të mëdha dhe rrezikojnë seriozisht shuarjen për shkak të mungesës së infrastrukturës adekuate.
Veçanërisht theksojmë se KHF Istogu është një ndër klubet më të trofeshme në Kosovë dhe ndër më të suksesshmet në arenën ndërkombëtare. Të gjitha këto suksese janë arritur në kushte jashtëzakonisht të vështira infrastrukturore. Përkundër ndërrimit të shumë qeverive nga subjekte të ndryshme politike ndër vite, asnjëherë nuk është arritur që Istogu të pajiset me një palestër sportive funksionale.
Duke qenë se aktualisht nuk ka asnjë iniciativë apo planifikim konkret për funksionalizimin e palestrës, qoftë nga Komuna e Istogut apo nga ministria e Sportit, ne si klub dhe si komunitet sportiv i drejtohemi publikisht Kuvendit të Republikës së Kosovës që në rishqyrtimin e buxhetit për vitin 2026 të përfshihet financimi për përfundimin dhe funksionalizimin e palestrës sportive në Istog.
Konsiderojmë se qyteti ynë e meriton një palestër sportive dinjitoze. Ky investim nuk është vetëm në interes lokal, por edhe në interes kombëtar dhe në funksion të zhvillimit të sportit në Kosovë.
Publikisht u bëjmë thirrje udhëheqësve të institucioneve të vendit që ta marrin seriozisht këtë kërkesë dhe ta trajtojnë me prioritet, ashtu siç e meriton një qytet me traditë dhe kulturë sportive.
Shpresojmë që kërkesa jonë të gjejë mirëkuptim dhe mbështetje.
Me respekt,
KHF Istogu
