
Prishtina largohet nga ENBL, Dinamo kalon tutje!
Kriza financiare që ka goditur KB Prishtinën nuk ka fund ende, ndërsa menaxhmenti i ri i klubit tashmë po shikon mundësi për të dalë nga kriza.
E një mënyrë për ta bërë këtë ka qenë largimi nga garat e ENBL-së, ku bardhekaltërit kanë siguruar fazën eliminatore duke marrë pjesë në të tetën e finales.
“KB Sigal Prishtina njofton opinionin publik, tifozët dhe mediat se klubi është i detyruar të ndërpresë pjesëmarrjen në Ligën ENBL.
Ky vendim vjen si pasojë e obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj Ligës ENBL, të cilat janë krijuar nga kryesia e kaluar e klubit. Përkundër përpjekjeve të drejtuesve aktualë për të gjetur zgjidhje dhe për ta vazhduar rrugëtimin në këtë garë, këto obligime të trashëguara e kanë bërë të pamundur vazhdimin e garimit në këtë moment.
Në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh situatën sportive nëpër të cilën po kalon skuadra dhe krizën aktuale të rezultateve, klubi ka vendosur që në këtë periudhë të përqendrohet maksimalisht në garat vendore dhe në stabilizimin e ekipit.
KB Sigal Prishtina mbetet e përkushtuar që të punojë seriozisht për rikthimin e stabilitetit në klub dhe për rikthimin e rezultateve që i takojnë historisë dhe traditës së këtij klubi.
Në fund, falënderojmë drejtuesit dhe zyrtarët e Ligës ENBL për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar ndaj klubit tonë.” — shkroi KB Prishtina dje.
Bardhekaltërit javë më parë kanë pasur konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku kanë treguar për borxhet e mëdha që kanë trashëguar, ndërkaq ekipi është në kërkim të sigurimit të playoffit në Superligë të Kosovës, pasi që për disa xhiro qëndroi në zonën playout.
Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të stinorit të rregull, Prishtina është në pozitë të gjashtë të Superligës me bilanc 9-14.
Në anën tjetër, edhe liga ENBL ka bërë të ditur se Prishtina e ka njoftuar që nuk do të paraqitet në fazën eliminatore të garës, ndërkaq ekipi i Dinamo Zagrebit që pritej të luftonte në parket me bardhekaltërit kryeqytetas, avancon tutje në çerekfinale të garës.
