Çka tha trajneri për Leon Avdullahun?

Lajm aspak i mirë për “dardanët” në prag të ndeshjes ndaj Sllovakisë në kuadër të playoffit për Kampionatin Botëror të këtij viti. Kosova, që për herë të parë siguroi playoffin dhe ka shans të artë në duar, tashmë pos Amir Rrahmanit të lënduar, nuk do të ketë në dispozicion për ndeshje ndaj Sllovakisë as mesfushorin organizator, Leon Avdullahu.

Para ndeshjes së fundjavës, që Hoffenheim e luan ndaj Leipzigut në kuadër të Bundesligës, ndër të tjera në konferencë për shtyp kryetrajneri i ekipit Christian Ilzer ka bërë të ditur edhe mungesën e Avdullahut.

Ai ka bërë të ditur që fatkeqësisht ekipi nuk do të mund të llogarit te mesfushori, i cili pësoi lëndim muskulor, ndërsa në deklaratën e plotë për futbollistin e Kosovës ka shtuar:

“Fatkeqësisht, Leoni u lëndua këtë javë. Ai është lënduar në muskulin e epërm të këmbës dhe do të jetë jashtë fushave për disa javë. Por, unë nuk jam mjek dhe nuk do të futem në detaje shtesë. Nuk mund të them saktë për sa do të mungojë ai, por shpresoj që të aftësohet për t’iu kthyer ekipit këtë stinor. Ai ka luajtur rol kyq në ekip, që na ka bërë neve të gjejmë zgjidhje në lojë. Lëndimi i Leonit është mungesë e theksuar për ekipin dhe balansin në lojë, pasi që ai bën ndërtimin e lojës dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në koordimin e lojës nga mbrojtja.”

Kosova luan si mysafire ndaj Sllovakisë më 26 mars në “Tehelno Pole” të Bratisllavës. Nëse Kosova arrin të fitojë këtë ndeshje, atëherë do të luajë finalen e playoffit ndaj fituesit të duelit Turqia-Rumania në “Fadil Vokrri”. Fituesi i finales siguron biletën për Kampionat Botëror. Selektori i Kosovës, Franco Foda, ende nuk ka bërë të ditur listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e Kosovës ndaj Sllovakisë, derisa kolegu i tij nga ana e kundërt, e ka publikuar sot listën e futbollistëve të ftuar për këtë ndeshje.

 

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live