
Trepça me mbi 40 pikë dallim, i afrohet finales!
Një fitore tepër e thellë e Trepçës ka ardhur sonte ndaj Pejës në kuadër të serisë gjysmëfinale të playoffit të Superligës, pasi që mitrovicasit kanë treguar fuqinë ndaj Pejës për të fituar duelin e tretë të serisë me rezultat 123-79.
Me këtë fitore, seria është bërë 2-1 në të mirë të Trepçës së drejtuar suksesshëm nga Adis Beciragic, ndërkaq ekipit tani i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar finalen e playoffit të Superligës në rrugëtimin e tyre për të mbrojtur titullin kampion.
Trepça fitoi secilin çerek të ndeshjes, duke mos i lënë pejanëve mundësi as që të shpresojnë për rikthim rezultati, ndërkaq në çerek të fundit shkuan në dallim rezultati, pasi që periudhën e fundit të lojës e morën me 39-21.
Drilon Hajrizi përsëri ka qenë më i dalluari te Trepça sa i përket pikëve, duke dhënë 26 sosh në fitore. Shtatë lojtarë të mitrovicasve kryen ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërkaq pas Drilonit u dalluan edhe Ja’cori Payne me 16 pikë e 8 asistime si dhe Mustapha Amzil me 14 pikë e 8 kërcime.
Te Peja asgjë nuk shkoi si duhet sonte, derisa lojtari më efikas i tyre ishte Daquan Bracey me 23 pikë të shënuara, prej të cilave 5 i dha treshe nga 8 tentime. Lojtari tjetër i vetëm që kreu lojën me pikë dyshifrore te verdhezinjtë ishte Cesare Edwards, 18.
Tani, seria bartet në “Karagaç” dhe në rast të fitores së Trepçës seria përfundon. Në rast se Peja barazon serinë në 2-2, atëherë vendimtarja zhvillohet në “Minatori” ku fituesi do të merr biletën prë finale.
